Brad Pitt zbulon betejën me mendimet vetëvrasëse pas problemeve familjare

Prishtinë | 11 Gus 2026 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Brad Pitt ka folur hapur për një periudhë të vështirë të jetës së tij, duke rrëfyer se ka përjetuar mendime vetëvrasëse gjatë një periudhe të dhimbshme familjare.

Aktori 62-vjeçar e bëri këtë rrëfim në një intervistë për Esquire, ku sqaroi se, edhe pse nuk kishte pasur prirje apo tentativa për të vepruar ndaj këtyre mendimeve, dhimbja që po përjetonte në atë kohë ishte aq e fortë sa nuk shihte një rrugëdalje.

“Thjesht nuk shihja një rrugëdalje. Dhimbja ishte aq shtypëse”, rrëfeu Pitt, duke shpjeguar se mendimet kishin të bënin me dëshirën për t’i dhënë fund dhimbjes dhe jo me një dëshirë konkrete për të vepruar, shkruan DailyMail.

Kur u pyet nëse po i referohej problemeve familjare, Pitt e konfirmoi. Ai prej vitesh është përfshirë në një marrëdhënie të tensionuar me disa prej fëmijëve të tij me ish-bashkëshorten Angelina Jolie.

Muajin e kaluar, vajza e tyre Vivienne, 18 vjeç, paraqiti një kërkesë për të hequr mbiemrin Pitt nga emri i saj, duke ndjekur shembullin e disa prej vëllezërve dhe motrave të saj.

Pitt foli gjithashtu për humbjen e nënës së tij, Jane, e cila ndërroi jetë një vit më parë në moshën 84-vjeçare.

Aktori e përshkroi pikëllimin si një ndjenjë që lë pas një “boshllëk të madh”, por që mund të shoqërohet edhe me një ndjesi të thellë bukurie.

“Pikëllimi, nëse i mbijeton, lë një vrimë të madhe, por lë edhe një bukuri të thellë. Është një bukuri që dhemb, por është bukuri”, tha ai.

Pitt dhe Jolie u njohën gjatë xhirimeve të “Mr. & Mrs. Smith” në vitin 2005 dhe u martuan në vitin 2014.

Çifti ka gjashtë fëmijë, mes tyre tre fëmijë biologjikë dhe tre të adoptuar. /Telegrafi/

Të ngjashme