Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se beson në pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, duke deklaruar se nuk sheh asnjë arsye, fakt apo rrethanë që do të çonte në një vendim tjetër përveç lirimit të tyre, raporotn Ekonomia Online.
Hamza tha se populli i Kosovës e pret me interesim vendimin e paralajmëruar për datën 16 shtator, ndërsa theksoi se lufta e UÇK-së dhe e qytetarëve të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e imponuar për liri e pavarësi.
“Ne besojmë në pafajësinë e liderëve tanë politikë edhe historikë. Dhanë shembull që kur është interesi i vendit e tejkalojnë vetveten dhe ballafaqohen me një proces të padrejtë në dobi të së vërtetës. E vërteta është që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e qytetarëve të Kosovës ka qenë e imponuar, ka qenë e drejtë, ka qenë luftë për liri dhe pavarësi. Ne besojmë në këtë. Populli i Kosovës e pret me shumë interesim datën 16-17”, tha ai.
Hamza tha se, bazuar në atë që është parë deri më tani gjatë procesit, nuk ekziston asnjë arsye që të merret një vendim tjetër për ish-udhëheqësit e Kosovës.
“Mbi bazën e asaj çka kemi pa deri më tani, nuk ka asnjë arsye, asnjë fakt, asnjë rrethanë, që çon në një vendim tjetër pos vendim lirues për liderët tanë. Për ish-udhëheqësit tanë, edhe gjatë kohës së angazhimit të tyre për liri dhe pavarësinë e Kosovës, po edhe në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve. Haga është temë që është një proces i ndarë dhe nuk kisha dashtë askush që atë çështje me e ndërlidh për me prodhu situata të pakëndshme dhe të panevojshme për vendin”, tha ai.
