Vdes Hajrije Behrami-Xhema, motra e dëshmorit të UÇK-së Smajl Behrami

Prishtinë | 14 Gus 2026 | 19:12 | Nga Ekonomia Online

Ka vdekur Hajrije Behrami-Xhema nga fshati Kozhicë i Skenderajt, motra e dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Smajl Behrami, i cili ra heroikisht në betejën e Likoshanit dhe Qirezit.

Humbja e saj është bërë e ditur përmes një postimi të deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e cila ka shprehur ngushëllime për familjen Behrami dhe Xhema, duke kujtuar edhe dhimbjet e mëdha që Hajrije Behrami-Xhema kishte bartur gjatë dhe pas luftës.

Sipas edher shkroi Musliu, lufta ia kishte marrë Hajrijes njerëzit më të shtrenjtë të jetës – vëllain e saj të vetëm, Smajlin, si dhe vajzën e saj, Zahiden, e cila, u vra në mënyrë brutale.

“Lufta ia mori njerëzit më të shtrenjtë të jetës. I mori vëllain e vetëm, Smajlin, dhe vajzën e saj, Zahiden, të cilës ia morën jetën në mënyrë brutale. Dy plagë që nuk u mbyllën kurrë dhe një dhimbje që Hajrijja e mbajti në heshtje, me dinjitet e forcë, deri në ditët e fundit të jetës. Ajo ishte një nga ato nëna që historia nuk duhet t’i harrojë. Një grua që humbi shumë, por që jetoi me kujtimin e të dashurve të saj dhe me dhimbjen e një nëne që nuk mund ta harrojë kurrë fëmijën e vet”, ka shkruar Musliu.

Ajo e ka përshkruar Hajrijen si një grua që jetoi me dhimbjen e humbjeve të mëdha, por që e përballoi atë me dinjitet dhe forcë.

“Disa njerëz largohen nga kjo botë, por vuajtja e tyre, sakrifica dhe kujtimi i tyre mbeten pjesë e historisë sonë. Hajrije, pusho e qetë. Tashmë je pranë atyre që i deshe dhe që lufta t’i mori padrejtësisht. U prehtë në paqen e përjetshme shpirti yt. Familjeve Behrami e Xhema, të afërmve dhe të gjithë atyre që e njohën, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, shkroi Musliu në Facebook.

Të ngjashme