Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me protestën në Han të Elezit për shqetësimet rreth lejimit të mundshëm të përdorimit të gomave si lëndë djegëse në fabrikën “Sharrcem”.
Përmes një postimi, Ymeri ka bërë të ditur se nga e hëna do të procedojë me kërkesa zyrtare pranë ministrisë përkatëse, duke paralajmëruar se çështja do të trajtohet në nivel institucional kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se, në rast se një projekt i tillë lejohet pa u ndërmarrë hapat e nevojshëm institucionalë dhe ligjorë, çështja mund të marrë edhe trajtim penal.
“Çështja do shqyrtohet nga ana institucionale kombëtare, ndërkombëtare, por edhe penale në rast të lejimit të një projekti të tillë pa hapa të duhur”, ka shkruar Ymeri.
Deputetja e LDK-së ka thënë se çdo parametër do të analizohet duke iu referuar standardeve evropiane.
“Ne nuk jemi eksperiment, edhe për Kurtin ky vend nuk lejohet të shkatërrohet. Do të analizohet çdo parametër me referencë europiane”, ka deklaruar ajo.
Reagimi i Ymerit vjen në kohën kur në Han të Elezit janë ngritur shqetësime lidhur me mundësinë e përdorimit të gomave të mbeturinave si lëndë djegëse në procesin e prodhimit në “Sharrcem”.