Fjolla Morina zgjedh jetën larg lidhjeve: Jam e përmbushur me familjen dhe fëmijët

Prishtinë | 17 Gus 2026 | 20:26 | Nga Ekonomia Online

Fjolla Morina ka folur hapur për jetën e saj personale dhe profesionale, duke treguar se vitet e fundit ka zgjedhur të përqendrohet më shumë te vetja, familja dhe fëmijët, ndërsa nuk e konsideron më një lidhje sentimentale si domosdoshmëri për t’u ndier e plotësuar.

Këngëtarja ka rrëfyer se eksperiencat e viteve të fundit e kanë bërë ta shohë ndryshe jetën private dhe prioritetet e saj.

“Kohën e fundit, pas disa eksperiencave që kam kaluar gjatë viteve, kam vendosur të jem vetë dhe ta gjej përmbushjen te dashuria e familjes dhe e fëmijëve, pa futur më dikë tjetër në jetën time”, është shprehur Morina, në Klan Kosova.

Ajo ka theksuar se, për të, mirëqenia personale dhe raporti me fëmijët kanë marrë një rëndësi më të madhe se më parë.

“Kam ardhur në përfundimin se duhet ta shikosh fillimisht veten tënde, sepse jeta nuk është vetëm një burrë. Jam e përmbushur me fëmijët, ndihem mirë dhe kjo ka rëndësi”, ka shtuar këngëtarja.

Më e tërhequr edhe nga muzika

Përveç ndryshimeve në jetën personale, Fjolla Morina ka qenë më pak aktive edhe në aspektin profesional.

Prej një kohe ajo nuk ka publikuar projekte të reja muzikore, duke mbajtur një distancë më të madhe nga skena dhe vëmendja publike.

Megjithatë, deklaratat e fundit tregojnë se kjo periudhë larg ekspozimit nuk lidhet vetëm me karrierën, por edhe me një zgjedhje personale për të jetuar më qetë dhe për t’i kushtuar më shumë kohë vetes dhe njerëzve më të afërt.

Për momentin, Morina duket se ka vendosur ta mbajë fokusin te familja, fëmijët dhe mirëqenia e saj personale, ndërsa mbetet për t’u parë se kur do të rikthehet me një projekt të ri muzikor.

Të ngjashme