Gazetari gjerman kritikon Vuçiqin: Propaganda serbe fajëson Brukselin për dështimin e Serbisë drejt BE-së

Prishtinë | 19 Gus 2026 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Analisti dhe gazetari gjerman Thomas Brey ka kritikuar ashpër narrativën propagandistike të pushtetit në Serbi lidhur me procesin e integrimit evropian, duke thënë se Beogradi po përpiqet ta paraqesë Brukselin si përgjegjës për ngecjen e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në një reagim të tij, Brey i cilëson si “teori konspirative të propagandës serbe” pretendimet se Serbia nuk po anëtarësohet në BE për shkak të një bllokade nga Brukseli.

Sipas tij, kjo narrativë synon të fshehë problemet e brendshme të Serbisë, veçanërisht mungesën e reformave dhe dobësimin e standardeve demokratike.

Brey ka kritikuar gjithashtu gjendjen e demokracisë dhe presionet ndaj institucioneve në Serbi.

Ai ka përmendur rastin e prokurorit Vujiçiq, i cili, sipas tij, është sulmuar në mediat propagandistike dhe makina e të cilit është djegur, ndërsa prokurorët publikë serbë kanë shprehur solidaritet me të.

Një tjetër çështje e ngritur nga analisti gjerman lidhet me zgjedhjet. Brey ka kundërshtuar pretendimin e kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq se opozita serbe refuzon zbatimin e rekomandimeve evropiane për zgjedhje të drejta.

Sipas tij, kjo paraqet një përmbysje të përgjegjësisë, pasi problemi qëndron te pushteti i presidentit Aleksandar Vuçiq, të cilin Brey e akuzon se prej më shumë se një dekade po pengon zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Analisti gjerman ka ironizuar edhe daljet e shpeshta televizive të Vuçiqit, duke theksuar se presidenti serb ka mbajtur monologë të drejtpërdrejtë në televizione të ndryshme në dhjetëra raste.

Sipas Brey, kjo është pjesë e një modeli të vazhdueshëm politik dhe mediatik, ku pushteti serb përpiqet të kontrollojë narrativën publike, të fajësojë faktorët e jashtëm për problemet e vendit dhe të relativizojë kritikat për demokracinë dhe procesin zgjedhor.

Të ngjashme