Një histori mbi humbjen, pikëllimin dhe kufijtë mes jetës e vdekjes po merr formën e një vepre operistike në skenën e Metropolitan Opera në New York. “Lincoln in the Bardo”, romani i shkrimtarit amerikan George Saunders, i botuar më 2017, vjen si një produksion i ri që ndërthur muzikën, teatrin dhe një rrëfim të pazakontë mbi dhimbjen njerëzore.
Vepra, e cila do të shfaqet në Lincoln Center më 19 tetor, sjell në qendër përjetimin e presidentit amerikan Abraham Lincoln pas vdekjes së djalit të tij të vogël. Përmes një historie fantazmash dhe një kori personazhesh të veçantë, romani eksploron pikëllimin e një babai, duke krijuar një botë ku zërat e të vdekurve dhe monologët dramatikë ndërthuren në një rrëfim që duket se e ka natyrshëm gjuhën e skenës.
“Libri nisi si një shfaqje”, kujton Saunders, duke iu referuar procesit krijues të romanit. Sipas tij, lexuesi përballet vazhdimisht me zëra të ndryshëm, një veçori që e bën veprën të përshtatshme për t’u përshtatur në teatër dhe, tashmë, në opera. Kur kompozitorja dhe pianistja Missy Mazzoli iu drejtua për të marrë të drejtat e përshtatjes, shkrimtari e priti idenë me entuziazëm.
Produksioni i Metropolitan Opera ndërthur muzikën e Mazzolit me libretin e Royce Vavrek. Në rolin e Abraham Lincoln-it interpreton Peter Mattei, ndërsa kundërtenori Anthony Roth Costanzo shfaqet në një rol të rëndësishëm. Kjo vepër shënon gjithashtu një moment historik për institucionin, pasi është premiera e parë botërore e një opere të kompozuar nga një grua në historinë moderne të Metropolitan Opera.
Për Mazzolin, marrëdhënia me muzikën dhe skenën është formuar që në fëmijëri, përmes videoklipeve të MTV-së dhe muzikës alternative të viteve 1980 dhe 1990. Ajo kujton se videot muzikore të asaj periudhe ishin teatrale dhe të ekzagjeruara, duke u dhënë formë emocioneve që përjetonte si e re. Kjo qasje ka ndikuar edhe në mënyrën se si ajo e koncepton operën, një art që shpesh perceptohet si elitar dhe i paarritshëm, por që, sipas kompozitores, mund të jetë shumë më i hapur ndaj publikut.

Drejtori i përgjithshëm i Metropolitan Opera, Peter Gelb, e sheh krijimin e veprave të reja si një mënyrë për të afruar audienca të reja me këtë formë arti. Gjatë drejtimit të tij, institucioni ka shtuar porositë për vepra bashkëkohore, duke kërkuar rrugë të reja për ta zgjeruar repertorin operistik. Në vitin 2021, Metropolitan Opera porositi veprën e parë të një kompozitori me ngjyrë në historinë e saj, Terence Blanchard, ndërsa Gelb ka mbështetur edhe regjisorë me qasje të pazakonta artistike.
Në këtë produksion, regjinë e mban Lileana Blain-Cruz, e nominuar për çmimin Tony në teatër. Ajo e përshkruan punën e saj si një përpjekje për të ndërthurur dendësinë e botës letrare të Saunders me universin muzikor të Mazzolit. Në thelb të veprës, sipas saj, qëndrojnë vetmia e thellë, humbja dhe ndjesia e të qenit në një hapësirë purgatori, por edhe prirja e njeriut drejt dritës, dashurisë dhe humorit.
Një rol të veçantë në krijimin e muzikës ka luajtur edhe përvoja personale e Mazzolit si shoqëruese e personave në fund të jetës, e njohur si death doula. Ajo e lidh këtë përvojë me rëndësinë e empatisë dhe të qëndrimit pranë dikujt në momente të vështira. Për të kompozuar muzikën e veprës, ajo u përpoq të kuptonte botën e brendshme të secilit personazh, duke imagjinuar shqetësimet dhe përjetimet që e përcaktojnë atë.
Muzika ndërtohet mbi një gjuhë emocionale të gjerë, herë madhështore e prekëse, herë lozonjare dhe komike. Kjo ndërthurje ruan një nga veçoritë e romanit, ku dhimbja nuk përjashton humorin. Edhe Saunders e vlerëson këtë dimension, duke theksuar se dëshironte që vepra operistike të ruante karakterin komik të historisë.
Në skenë, personazhet lëvizin në një peizazh të pazakontë, të ndërtuar me nuanca vjollce, të gjelbra, të arta, ndryshku dhe bluje. Hapësira të kujton një varrezë të ndriçuar në mënyrë të përtejme, ku realiteti dhe fantazia bashkëjetojnë dhe ku prania e të vdekurve krijon mundësinë për ngjarje të papritura.
Përtej historisë personale të Lincoln-it, Mazzoli shpreson që shfaqja ta nxisë publikun të reflektojë mbi njerëzimin dhe gjendjen e shoqërisë amerikane. Ajo dëshiron që spektatorët të largohen me më shumë pyetje sesa përgjigje, duke hapur diskutime mbi rolin e presidentëve dhe përgjegjësinë e udhëheqësve të fuqishëm.
Me këtë premierë, Metropolitan Opera synon të dëshmojë se opera mund të jetë një hapësirë e gjallë për rrëfime bashkëkohore, ku letërsia, muzika dhe teatri bashkohen për të trajtuar përvoja universale. “Lincoln in the Bardo” e vendos pikëllimin në qendër të një universi artistik që lëviz mes errësirës dhe dritës, duke kërkuar të kuptojë jo vetëm dhimbjen e humbjes, por edhe aftësinë njerëzore për të ruajtur dashurinë përballë saj./KultPlus.com