Në 100-vjetorin e lindjes së veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Metush Krasniqi, në Kamenicë janë zhvilluar homazhe dhe është përkujtuar veprimtaria e tij për lirinë e Kosovës dhe afirmimin e vullnetit politik të popullit të saj.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar Krasniqin si një prej idealistëve dhe veprimtarëve më të paepur të çështjes kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi.
Në një postim, Kurti ka theksuar se historia politike e Kosovës gjatë shekullit XX është e lidhur ngushtë me burgjet jugosllave, ku mijëra shqiptarë u burgosën për shkak të bindjeve dhe veprimtarisë së tyre politike.
Sipas Kurtit, shqiptarët e kanë paguar çlirimin e Kosovës jo vetëm me jetët e dëshmorëve dhe martirëve, por edhe me vite të tëra të kaluara në burgje, mes torturave, dhunës, urisë, të ftohtit, sëmundjeve dhe përballjes me vdekjen.
Kurti ka vlerësuar veçanërisht rolin e Metush Krasniqit, duke e renditur atë, pas dhe bashkë me Adem Demaçin, ndër aktivistët politikë me vetëdijen më të qartë për çështjen kombëtare të shqiptarëve nën Jugosllavi.
“Metush Krasniqi rezulton të ketë qenë një nga aktivistët politikë me vetëdijen më të kulluar politike, me vizionin më të qartë për çështjen kombëtare të shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi dhe me veprimtarinë më të shumanshme për çlirimin e trojeve të banuara me shqiptarë nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë”, ka shkruar Kurti.
Në fund të postimit, kryeministri në detyrë ka bërë homazhe për figurën e Krasniqit dhe të gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
“Lavdi Metush Krasniqit dhe gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë e atdheut!”, ka përfunduar Kurti.