Aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së do të transmetohet me 10 minuta vonesë

Prishtinë | 22 Gus 2026 | 09:32 | Nga Ekonomia Online

Aktgjykimi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, në Hagë do të transmetohet me 10 minuta vonesë. Këtë ia ka konfirmuar VOX Kosovës vetë Gjykata Speciale.

“Seanca e 16 shtatorit do të transmetohet me 10 minuta vonesë, siç ishte rasti edhe me shpalljet e aktgjykimeve të mëparshme”, i tha VOX-it, Michael Doyle, zëdhënës në Gjykatën Speciale.

Zakonisht, në seancat tjera normale të periudhës së Gjykimit, vonesat janë nga 45 minuta.

Gjykata Speciale ka bërë me dije se ka interesim të jashtëzakonshëm për të parë nga afër seancën finale.

Për rrjedhojë, Dhomat e Specializuara janë detyruar të marrin kohë shtesë për konfirmimin e kërkesave për praninë fizike në sallë në kohën kur shpallet vendimi.

“Për shkak të numrit të kufizuar të vendeve në galerinë për publikun dhe numrit shumë të madh të kërkesave për pjesëmarrje në këtë seancë, procesi i shqyrtimit kërkon kohë. Sikurse është bërë me dije në lajmërimin e parë, konfirmimi me postë elektronike do të dërgohet jo më vonë se dy javë përpara seancës. Në atë kohë, të gjithë ata që kanë dërguar kërkesë brenda afatit do të marrin përgjigje në të cilën konfirmohet në qoftë se pjesëmarrja e tyre është e mundur ose jo, bashkë me çdo informacion tjetër relevant”, thotë Specialja në komunikatë.

Afati i dorëzimit të kërkesave për prani fizike në seancë ishte deri më 24 korrik.

Katër ditë para aktgjykimit, në Prishtinë do të mbahet marsh përkrahës ndaj katërshes së UÇK-së nën thirrjen “Kosova po pret”.

Të ngjashme