ZKA publikon raportin, Spanca: Përgjegjësia për sigurinë në shkolla kërkon bashkëpunim të të gjitha institucioneve

Prishtinë | 26 Gus 2026 | 11:24 | Nga Ekonomia Online

Zyra Kombëtare e Auditimit(ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për sigurinë në shkolla, ku është vlerësuar mënyra se si institucionet përgjegjëse kanë përmbushur detyrat e tyre për parandalimin, trajtimin, raportimin dhe monitorimin e rasteve të dhunës dhe çështjeve të tjera të sigurisë në institucionet arsimore, raporton Ekonomia Online.

Sipas raportit të ZKA-së, vetëm 52 për qind e nxënësve të anketuar i konsiderojnë shkollat e tyre të sigurta, ndërsa 39 për qind i konsiderojnë pjesërisht të sigurta dhe 9 për qind të pasigurta.

Auditimi kishte për qëllim të vlerësonte nëse institucionet përgjegjëse kanë vendosur dhe zbatojnë mekanizma efektivë për parandalimin, trajtimin, raportimin dhe monitorimin e incidenteve të dhunës në shkolla.

Në kuadër të auditimit janë përfshirë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Inspektorati i Arsimit, Policia e Kosovës, Drejtoritë Komunale të Arsimit, Qendrat për Punë Sociale dhe shkollat.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se puna e auditorit publik nuk përfundon me publikimin e një raporti, por me rezultatet që dalin nga rekomandimet e tij.

“Zyra Kombëtare e Auditimit. Do të thotë, puna e auditorit publik nuk përfundon me publikimin e një raporti të auditimit, por përfundon atëherë kur ne shohim rezultatet nga puna jonë, kur e shohim, do të thotë, një infrastrukturë më të mirë, një shkollë të ndërtuar, shërbime më të mira, qoftë ato shëndetësore, qoftë ato në fushën e arsimit dhe, në këtë rast, do të thotë, siguri më të madhe për nxënësit në Republikën e Kosovës.

Nuk është, do të thotë, ne nxjerrim një raport auditimi, japim rekomandime. Është me rëndësi, do të thotë, që puna jonë audituese të ketë ndikim dhe për këtë arsye, duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj teme se sa e ndjeshme është, kemi menduar që raporti në fjalë të përfshijë të gjithë akterët tanë.

Njëherësh shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj edhe për bashkëpunimin që keni pasur, do të thotë, secili i përfshirë në këtë auditim me staf auditues. Normalisht si Zyrë Kombëtare e Auditimit pa bashkëpunimin tuaj nuk mund, do të thotë, ta japim maksimumin dhe raporti në fjalë, do të thotë, ka pasur një fushëveprim të gjerë, ka pasur një temë të ndjeshme dhe ekipi i audituesve ka gjetur bashkëpunim me secilën palë, duke filluar nga Ministria e Arsimit, me drejtoritë, do të thotë, komunale të arsimit, me shkollat të cilat i ka pasur në në fushëveprim, me Policinë gjithashtu. Tema nuk ka të bëjë apo çështja e sigurisë në shkolla nuk është vetëm çështje e infrastrukturës apo çështje e reagimit në shkollë pasi që të ndodhë incidenti. Ajo lidhet me krijimin e një mjedisi ku fëmijët mbrohen nga dhuna dhe bullizmi, ku shqetësimet e tyre identifikohen me kohë dhe ku institucionet kanë mekanizma funksionalë për parandalim, raportim dhe reagim.

Për këtë arsye, përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet vetëm një institucioni. Ajo kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, komunave, shkollave, Policisë së Kosovës, Qendrave për Punë Sociale, po ashtu duke i përfshirë edhe prindërit, edhe të gjithë shoqërisë”, tha Spanca.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Arsimit dhe Shekencës Hajrullah Çeku, tha se gjetjet dhe rekomandimet e raportit paraqesin një udhëzues për përmirësimin e punës së institucioneve.

“Mendoj që gjetjet dhe rekomandimet edhe të raporteve të tjera, po sidomos të këtij raporti, janë një udhëzues shumë i mirë për punën tonë dhe për përmirësimin e performancës dhe rezultateve tona të punës. Ministria e Arsimit ka bashkëpunuar ngushtë me ekipin e auditorëve, ka qenë gjithmonë e hapur dhe e qasshme, sepse punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit ne e shohim si mbështetje. Dhe kjo mbështetje po ofrohet edhe sot në një formë shumë praktike, me gjetje dhe rekomandime tepër konkrete se si ne ta përmirësojmë punën tonë. Siç konstaton edhe raporti, tashmë është ndërtuar një sistem ligjor dhe institucional për trajtimin, identifikimin, parandalimin e rasteve të dhunës dhe me aspektet e tjera të sigurisë në shkolla. Nga raportimi i dhunës, që është detyrim ligjor, deri te standardet e projektimit të shkollave, sepse edhe standardet e projektimit dhe ndërtimit janë pjesë e sigurimit të një ambienti të favorshëm dhe të sigurt për fëmijët tanë. Dhe po, ne pajtohemi plotësisht që ky sistem i ndërtuar duhet të përmirësohet në kuptimin e zbatimit”, tha ai.

“Mbase mund të ketë edhe me aspektet e korrigjimit të politikave, të udhëzimeve, të protokolleve, por ato janë shumë më të vogla në raport me nevojën për me rritë zbatimin dhe efekshmërinë e këtyre masave. Pra këtu shprehim pajtimin tonë të plotë me frymën, rekomandimet dhe gjetjet e këtij raporti. Çështja tjetër që konstaton raporti është se përgjegjësia për sigurinë në shkolla tash është e përbashkët dhe kërkon angazhimin e të gjithëve. Kjo nuk duhet të tingëllojë si heqje dorë nga përgjegjësia, por si thirrje që këtë ta kuptojmë jo si një betejë e hedhjes së fajit, po si një bashkim për të arritur zbatimin më efektiv, ajo që është gjetja kryesore e këtij raporti. Pra, duke filluar nga vetë drejtori, drejtoresha e shkollës, tek këshilli i shkollës, te vetë prindërit e deri te DKA-të, Ministria e Arsimit, Inspektorati i Arsimit, policia, qendrat për punë sociale, institucionet shëndetësore… Këto janë pjesë e një zinxhiri institucional që secili duhet ta kryejë detyrën e vet në mënyrë të duhur që ta kemi ne një shkollë sa më të sigurt në Kosovë”, shtoi ai.

“Dhe pika e fundit për këtë hapje është momentumi tepër i rëndësishëm në të cilin po na vjen ky dokument. Ne tashmë kemi nisur hartimin e Strategjisë së Re të Arsimit, një dokument që e projekton dekadën e ardhshme të zhvillimit në arsim. Reforma e nisur, ne besojmë shumë, ka nevojë për përshpejtim të hapave. Dhe në këtë përshpejtim kemi nevojë për mbestetjen e të gjithëve: së pari në nivel profesional, siç bën ky raport, por edhe duke e krijuar një përbashkim të të gjithëve rreth tryezës që do të vendosë për 10 vitet e ardhshme të arsimit.”, tha Çeku.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se siguria në shkolla është një prej prioriteteve të Policisë së Kosovës dhe se fokusi duhet të jetë te parandalimi i incidenteve.

“Siguria në shkolla është një ndër prioritetet e Policisë së Kosovës dhe një nga shtyllat kryesore me të cilat ndërtohet e ardhmja e sigurt e shoqërisë sonë. Shkolla nuk është vetëm një vend ku fëmijët tanë marrin dije dhe edukim, por është edhe hapësira ku ata formojnë personalitetin, zhvillojnë aftësitë e tyre dhe përgatiten për të ardhmen. Prandaj krijimi dhe ruajtja e një ambienti të sigurt, të qetë dhe gjithëpërfshirës në institucionet arsimore është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve dhe e gjithë shoqërisë sonë.

Policia e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në përmbushjen e këtij misioni, me qëllim që çdo nxënës që mund të vijojë mësimin pa frikë, çdo mësimdhënës mund të ushtrojë profesionin e tij në kushte të sigurta dhe prindërit të kenë besimin se fëmijët e tyre janë të mbrojtur gjatë qëndrimit në shkollë dhe në hapësirat përreth saj.

Megjithatë, ky mision nuk mund të përmbushet nga Policia e Kosovës e vetme. Bashkëpunimi i ngushtë dhe i vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit, institucionet arsimore, drejtoritë komunale të arsimit, komunat, drejtoritë e shkollave, mësimdhënësit, prindërit dhe komunitetin është çelësi i suksesit në krijimin e një sistemi sa më efektiv të sigurisë në shkolla.

Në këtë drejtim, Policia e Kosovës ka ndërmarrë dhe vazhdon të ndërmarrë një sërë masash konkrete. Përmes pranisë së shtuar policore, angazhimit të zyrtarëve tanë policorë të caktuar për detyrat e sigurisë në dhe përreth institucioneve arsimore, si dhe përmes patrullimeve të vazhdueshme, kemi krijuar një praktikë të qëndrueshme të ofrimit të sigurisë në pothuajse të gjitha shkollat, me fokus të veçantë në ato institucione ku vlerësohet se ekziston nevojë më e madhe për prezencë dhe mbështetje policore.

Për ne, siguria në shkolla nuk nënkupton vetëm reagimin pas ndodhjes së një incidenti. Qasja jonë është dhe duhet të mbetet e orientuar mbi të gjitha drejt parandalimit. Synimi ynë është që rreziqet të identifikohen me kohë, problemet të adresohen para se të përshkallëzohen dhe çdo kërcënim potencial ndaj sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor të trajtohet në mënyrë profesionale dhe të koordinuar”, tha Hoxha.

Të ngjashme