Pamjet satelitore nga Himalajet kanë zbuluar përmasat e mëdha të shkatërrimit të shkaktuar nga përmbytjet e fuqishme në Nepal.
Brenda pak minutash, luginat e banuara përgjatë lumit Trishuli u mbuluan nga balta, gurët dhe uji.
Fshatra, rrugë dhe toka bujqësore u shkatërruan ose u mbuluan nga një shtresë balte dhe rrënojash deri në dy metra.
Veçanërisht të prekura janë zonat Syapru Besi dhe Tupche, ndërsa pamjet tregojnë se shtrati i lumit është zgjeruar ndjeshëm, transmeton Klankosova.tv.
Përmbytjet kanë marrë me vete edhe disa ura dhe rrugë të rëndësishme.
Ekspertët dyshojnë se katastrofa u shkaktua nga shembja e një akullnaje në Himalaje, ndërsa pamjet satelitore tregojnë një çarje prej disa qindra metrash në një akullnajë në veri të kufirit me Nepalin.
Fluksi i ujit, baltës dhe rrënojave ka lënë pas një gjurmë shkatërrimi prej afro 170 kilometrash.