Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të lapidarit përkujtimor për Heroin e Policisë së Kosovës, Triumf Riza, në 19-vjetorin e rënies së tij në krye të detyrës. Ceremonia është mbajtur në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në vendin ku Riza u vra, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka kujtuar sulmin ndaj Rizës dhe ka theksuar se vrasja e tij tronditi familjen, Policinë e Kosovës dhe mbarë shoqërinë, ndërsa ka folur për përkushtimin e tij në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.
Kurti ka thënë se Riza u dallua për aftësitë profesionale, përkushtimin dhe vendosmërinë e tij gjatë gjithë karrierës në Policinë e Kosovës.
“19 vite më parë, pikërisht në këtë lagje, në lagjen Dardania të Prishtinës, një sulm i planifikuar nga grupet kriminale i mori jetën zyrtarit policor Triumf Riza. Ajo është një ngjarje që tronditi thellë familjen e tij, Policinë e Kosovës, të gjithë neve që e kemi njohur Triumfin dhe mbarë shoqërinë tonë. Që nga dita kur nisi Akademinë Policore në Vushtrri, më 29 nëntor të vitit 1999, e deri në ditën kur ra në krye të detyrës, Triumfi u dallua për aftësitë profesionale, përkushtimin dhe vendosmërinë e tij. Për vite me radhë, ai u shqua për një parim të palëkundur: askush nuk mund të ishte i paprekshëm dhe askush nuk mund të qëndronte mbi ligjin”.
Kurti ka theksuar se për Rizën uniforma policore përfaqësonte përgjegjësinë për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të mbrojtur rendin e ligjshmërinë.
“Triumfi nuk e shihte uniformën vetëm si profesion. Për të, ajo përfaqësonte përgjegjësinë për t’u shërbyer qytetarëve, për të garantuar sigurinë dhe për të mbrojtur rendin e ligjshmërinë. Ai ishte shembull i zyrtarit policor të pakompromis në përballje me grupet kriminale, duke e ditur faktin se përmbushja e detyrës mund ta vinte në rrezik edhe jetën e tij. Megjithatë, nuk u zbraps. Ai qëndroi në anën e shtetit të së drejtës, rendit dhe ligjit, përballë atyre që synonin të zëvendësonin këto vlera me frikë, kërcënim, shantazh e dhunë. Që nga 30 gushti i vitit 2007, emri i Triumfit u bë pjesë e kujtesës së Policisë së Kosovës si simbol i guximit, përkushtimit dhe sakrificës në përballje me kriminalitetin”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë ka vlerësuar se vrasja e Rizës ishte përpjekje për të goditur autoritetin e institucioneve, por se misioni i tij vazhdoi përmes gjeneratave të Policisë së Kosovës.
“Pikërisht për këtë, vrasja e Triumfit nuk ishte vetëm humbja e një jete të re dhe e një polici të përkushtuar. Ajo ishte një përpjekje për të goditur autoritetin e një institucioni që kishte për detyrë të luftonte krimin dhe të mbrojë qytetarët. Por ajo përpjekje nuk e ndali Policinë e Kosovës. Misioni që Triumfi la në gjysmë nuk u ndërpre. Ai vazhdoi përmes gjeneratave të Policisë së Kosovës, vazhdoi përmes kolegëve të tij, shumë prej të cilëve janë edhe sot këtu bashkë me neve, dhe që pas 19 vitesh vazhdojnë ta jetësojnë betimin që kanë bërë duke i shërbyer kësaj pjese të vendit tonë, duke u përballur çdo ditë me rrezikun dhe duke qëndruar në shërbim të qytetarëve. Kjo është një prej mënyrave më të denja për ta nderuar Triumf Rizën: duke vazhduar punën që ai e bëri me përkushtim dhe duke mos lejuar që kriminaliteti të diktojë autoritetin e institucioneve”, tha kryeministri në detyrë.
Kurti ka kërkuar që drejtësia për vrasjen e Rizës të jetë e plotë dhe ka bërë thirrje për forcimin e institucioneve dhe përgjegjësi të plotë.
“Sot, krah për krah kujtimit dhe dhimbjes për humbjen e tij, duhet të flasim edhe për nevojën që drejtësia për vrasjen e Triumf Rizës të jetë e plotë. Përgjegjësia duhet të shkojë drejt çdo personi që ka pasur rol në këtë vrasje nga ekzekutori tek kushdo që mund të ketë urdhëruar, organizuar, ndihmuar apo mundësuar atë. Kujtimi i Triumfit të shërbejë si thirrje për institucione të forta, për drejtësi të paanshme dhe për përgjegjësi të plotë”, tha ai.
Kurti ka nderuar kujtimin e Triumf Rizës dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës, duke theksuar se sakrifica e tyre duhet të mbetet frymëzim për gjeneratat e reja.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Triumf Riza mbetet pjesë e historisë së Policisë së Kosovës dhe simbol i përkushtimit ndaj detyrës.
“Sot, në 19-vjetorin e vrasjes së zyrtarit policor Triumf Riza, përkulemi me respekt para jetës dhe sakrificës së tij. Emri i tij mbetet pjesë e historisë së Policisë së Kosovës, ndërsa kujtimi për të vazhdon të jetojë tek kolegët, miqtë dhe familja e tij, por edhe tek secili zyrtar i shtetit tonë. Përkushtimi dhe guximi me të cilin ai shërbeu le të mbeten frymëzim për gjeneratat e reja të Policisë së Kosovës, për kujtesë të përhershme të sakrificës së atyre që dhanë më të shtrenjtën në shërbim të vendit dhe të qytetarëve. I përhershëm qoftë kujtimi për Triumf Rizën! Lavdi të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ranë në krye të detyrës!”, tha Sveçla.
Sveçla ka theksuar se Riza, ndonëse jetoi pak, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Policisë së Kosovës.
“Në historinë e popullit tonë, ashtu si edhe në historinë e Policisë së Kosovës, ka figura që kanë jetuar pak, por kanë lënë gjurmë të mëdha e të pashlyeshme pas vetes. I tillë ishte edhe Triumfi. Një djalë shembullor, i rritur në një familje të respektuar, i përkushtuar ndaj detyrës dhe i pakompromis në luftën ndaj krimit. Ai zbatoi me përpikëri misionin dhe betimin e policit, ashtu siç e bën dhe duhet ta bëjë çdo pjesëtar i Policisë së Kosovës, në çdo brez”, tha Sveçla.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme ka thënë se vrasja e Rizës zbuloi përmasat e një grupi kriminal që sfidonte rendin, ligjin dhe sigurinë e qytetarëve.
“Sot shënojmë 19-vjetorin e rënies së Triumfit në krye të detyrës, një vrasje e cila hoqi përfundimisht maskat e një grupi kriminelësh që sfidonin në çdo formë rendin, ligjin dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Për kolegët e tij dhe për të gjithë ata që e njohën, Triumfi ishte mishërim i guximit dhe i vendosmërisë. Me qëndrimin e tij, ai dëshmoi se Policia e Kosovës nuk tërhiqet dhe nuk bën kompromis me bandat e grupet kriminale, edhe atëherë kur mbrojtja e rendit dhe e ligjit kërkon sakrificën më të madhe”, tha ai.
Sveçla ka deklaruar se institucionet kanë vazhduar luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e autoritetit të ligjit, ndërsa ka thënë se lapidari do të shërbejë si kujtesë për sakrificën e Rizës.
“Ky është edhe misioni ynë i përditshëm. Si institucione të Republikës së Kosovës, kemi punuar dhe kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme në luftën kundër krimit të organizuar, në goditjen e grupeve kriminale dhe në forcimin e autoritetit të ligjit. Këto rezultate tregojnë se shteti ynë është më i fortë kur institucionet veprojnë me vendosmëri dhe kur Policia e Kosovës e cila gëzon nivel të lartë të profesionalizmit, ka mbështetjen e plotë institucionale për të përmbushur misionin e saj. Në këtë 19-vjetor të rënies së Triumfit, zbuluam lapidarin përkujtimor të tij, pikërisht këtu ku ai u vra. Ky lapidar do të jetë një kujtesë e përhershme për sakrificën e tij, por edhe një zotim yni që vlerat për të cilat ai dha jetën të ruhen dhe të përcillen te gjeneratat e reja të Policisë së Kosovës”, shtoi Sveçla.
