Kusari-Lila mbështet Bekim Sejdiun për president: Zgjedhja duhet të jetë për Republikën

Prishtinë | 31 Gus 2026 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka shprehur mbështetjen për kandidaturën e profesor doktor Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Kusari-Lila ka thënë se kandidatura e Sejdiut meriton mbështetje, pasi sipas saj Kosovës i duhet një president që përfaqëson shtetin përtej ndarjeve partiake.

“Bekim Sejdiu për President të Kosovës! Kandidatura e Prof. Dr. Bekim Sejdiut meriton mbështetje, sepse Kosovës i duhet një President që përfaqëson shtetin përtej ndarjeve partiake”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka vlerësuar përvojën profesionale dhe institucionale të Sejdiut, duke përmendur angazhimin e tij si profesor i së drejtës, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, diplomat dhe ambasador i Kosovës.

Sipas saj, Sejdiu sjell integritet, profesionalizëm dhe përvojë institucionale.

Kusari-Lila ka theksuar se në situatën aktuale zgjedhja e presidentit duhet të jetë mbi interesat partiake.

“Në këtë moment, zgjedhja e Presidentit duhet të jetë mbi interesat partiake. Duhet të jetë zgjedhje për Republikën”, ka deklaruar ajo.

Kryetarja e Alternativës u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut, të cilin e ka cilësuar si kandidat për një president që do të përfaqësonte të gjithë Kosovën.

Ajo ka thënë se presidenti i ardhshëm duhet ta respektojë Kushtetutën, t’i forcojë institucionet dhe të kontribuojë në bashkimin e qytetarëve.

Të ngjashme