Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Arblind Pireva u deklarua i pafajshëm për vrasjen e A.H., në maj të vitit 2026 në Prishtinë. Ai kundërshtoi cilësimin e veprës penale, duke thënë se ishte vrasje në vetëmbrojtje.
“Aktakuzën në cilësinë juridik e kundërshtoj, për këtë akuzë që u lexua deklarohem i pafajshëm se nuk qëndron ky cilësim juridik. Qëndron vrasje në vetëmbrojtje”, deklaroi i akuzuari Pireva, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fitore Sadikaj.
Pastaj, gjyqtari i rastit, Gazmend Bahtiri, njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se në afat prej 30 ditësh mund të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Prezent në shqyrtim fillestar ishin: prokurorja Fitore Sadikaj, i akuzuari Arblind Pireva me mbrojtësin e tij, avokatin Jeton Osmani dhe pala e dëmtuar Arben Hajdari.
Ndryshe sipas aktakuzës, Prokuroria Themelore e Prishtinës ngarkon të akuzuarin Arblind Pireva se më 27 maj 2026, në koridorin e një objekti banesor në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëparshme me tani të ndjerin A.H., lidhur me një borxh, me dashje për ta privuar nga jeta e qëllon tri herë me armë zjarri.
Sipas aktakuzës, nga të shtënat, tani të ndjerit A.H., i janë shkaktuar lëndime në kokë, gjoks dhe pjesën e sipërme të këmbës së majtë, si pasojë e të cilave humb jetën.
Pas të shtënave, aktakuza thotë se i pandehuri Pireva i afrohet viktimës, ia merr telefonin dhe largohet nga vendi i ngjarjes.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me datë, vend dhe kohë të njëjtë, i akuzuari Pireva ka poseduar dhe përdorur pa autorizim përkatës ligjor armën e zjarrit të llojit “Revolver” me të cilën ka qëlluar ndaj A.H.
Me këtë, i akuzuari Arblind Pireva akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1.6 të Kodit Penal, dhe veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/