Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkëbisedoi me të rinj në hapjen e Shkollës Verore për Gjininë, Ekonominë dhe Politikën, e cila po mbahet në hapësirat e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.
Përveçse në Pejë, ai u shpreh i kënaqur që ishte në këtë shkollë verore që, siç tha ai, bashkon tri tema të cilat janë thellësisht të ndërlidhura me njëra tjetrën: gjinia, ekonomia dhe politika.
“Ekonomia nuk është neutrale ndaj gjinisë. Politika nuk është neutrale ndaj ekonomisë. Dhe demokracia nuk mund të jetë e plotë nëse gjysma e shoqërisë përballet me më shumë pengesa për të punuar, për të pasur pronë, për të udhëhequr, e për të vendosur. Prandaj barazia gjinore për ne nuk mund të jetë vetëm obligim ligjor, e as një temë sektoriale. Është çështje e drejtësisë shoqërore, e zhvillimit ekonomik dhe e cilësisë së demokracisë sonë”, vlerësoi kryeministri.
Duke folur rreth politikave publike, kryeministri shtoi se gjatë viteve të fundit kemi synuar që fuqizimin e grave dhe vajzave ta përkthejmë nga parimi në politika, në buxhet dhe në rezultate të matshme.
“Kemi mbështetur punësimin e mbi 12 mijë grave; kemi përdorur platformën Superpuna për ta lidhur rininë me tregun e punës, nga afër 23 mijë të rinj të punësuar, 51 për qind janë gra e vajza; kemi investuar në arsim dhe në bursa për vajzat në STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë, ku janë ndarë 7.277 bursa, prej të cilave 7.042 për vajza apo 97 për qind për vajza; kemi mbështetur me shtesat për lehona dhe fëmijë; kemi mbështetur ndërmarrësinë dhe gratë në bujqësi; dhe e kemi rritur përfaqësimin e grave në vendimmarrje”, tha kryeministri.
Ai më tej shtoi se përmes programit “Qeveria për Familjet”, nga mbi 4 mijë persona të punësuar nga familje ku më herët nuk punonte askush, 55 për qind janë gra. Ndërsa përmes programit “Kosovo Generation Unlimited”, nga mbi 3 mijë të rinj që kanë përfituar punë praktike, afër 60 për qind janë gra e vajza.
“Në vitin 2021 kishim 5.555 fëmijë të regjistruar në çerdhe. Në vitin shkollor 2024/2025 sa për krahasim ky numër kishte arritur në 7.429, apo rreth 33 % më shumë. Ndërkohë janë ndërtuar ose po ndërtohen 74 çerdhe nëpër Kosovë” tha kryeministri dhe shtoi se qëllimi është i dyfishtë: fëmija të ketë qasje në edukim të hershëm, si dhe prindi, në praktikë shumë shpesh nëna, të ketë më shumë hapësirë për punësim, arsimim dhe vetëpunësim.
Duke ju drejtuar studentëve të pranishëm, nga fusha të ndryshme studimi, kryeministri tha se barazia gjinore nuk është profesion vetëm i atyre që merren me barazi gjinore.
“Në demokraci nuk mjafton të votojmë një herë në disa vite. Demokracia kërkon qytetarë që marrin pjesë, propozojnë, kritikojnë, hulumtojnë dhe kërkojnë llogari. E sidomos juve të rinjve: demokracia nuk ju kërkon vetëm votën, por për zërin, dijen dhe angazhimin tuaj. Mos prisni zgjedhjet për të marrë pjesë dhe mos prisni një pozitë për të pasur ndikim”, tha kryeministri në detyrë Kurti.
Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:
I nderuari rektor i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi,
E nderuara znj. Edi Gusia,
Të nderuar përfaqësues të Institutit Kombëtar Demokratik,
Të nderuar përfaqësues të partnerëve tanë ndërkombëtarë,
Të nderuar profesorë dhe studentë, pjesëmarrës të kësaj shkolle verore,
Më vjen mirë që jam përsëri në Pejë dhe posaçërisht në këtë shkollë verore që bashkon tri tema të cilat janë thellësisht të ndërlidhura me njëra tjetrën: gjinia, ekonomia dhe politika.
Sepse ekonomia nuk është neutrale ndaj gjinisë. Politika nuk është neutrale ndaj ekonomisë. Dhe demokracia nuk mund të jetë e plotë nëse gjysma e shoqërisë përballet me më shumë pengesa për të punuar, për të pasur pronë, për të udhëhequr, e për të vendosur.
Prandaj barazia gjinore për ne nuk mund të jetë vetëm obligim ligjor, e as një temë sektoriale. Është çështje e drejtësisë shoqërore, e zhvillimit ekonomik dhe e cilësisë së demokracisë sonë.
E kemi thënë edhe më herët: barazia nuk duhet parë vetëm si destinacion. Barazia duhet të jetë pikënisje.
Nëse dy njerëz janë formalisht të barabartë para ligjit, por njëri prej tyre ka më pak kohë, sepse bart barrën kryesore të kujdesit në familje, nuk ka pronë, ka më pak qasje në financa dhe më pak mundësi punësimi, atëherë barazia juridike ende nuk është bërë barazi reale.
Prandaj politikat publike duhet të merren jo vetëm me të drejtat që i kemi garantuar, por edhe me kushtet reale në të cilat ato ushtrohen. Pengesat strukturore nuk janë çështje private të individit; ato janë përgjegjësi e politikës publike. Detyra e shtetit është t’i identifikojë, t’i masë dhe t’i zvogëlojë, në mënyrë që barazia në ligj të bëhet edhe barazi në mundësi.
Në Kosovë kemi një paradoks që: vajzat dhe gratë kanë rezultate shumë të mira në arsim, ndërsa potenciali i tyre ekonomik vazhdon të mos shfrytëzohet sa duhet. Pra, problemi nuk është mungesa e talentit, e dijes apo e vullnetit. Problemi janë pengesat.
Dhe detyra e shtetit është që pengesat të mos i trajtojë si fat individual të qytetarit, por si çështje të politikave publike.
Pikërisht për këtë gjatë viteve të fundit kemi synuar që fuqizimin e grave dhe vajzave ta përkthejmë nga parimi në politika, në buxhet dhe në rezultate të matshme.
Kemi mbështetur punësimin e mbi 12 mijë grave; kemi përdorur platformën Superpuna për ta lidhur rininë me tregun e punës, nga afër 23 mijë të rinj të punësuar, 51 për qind janë gra e vajza; kemi investuar në arsim dhe në bursa për vajzat në STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë, ku janë ndarë 7.277 bursa, prej të cilave 7.042 për vajza apo 97 për qind për vajza; kemi mbështetur me shtesat për lehona dhe fëmijë; kemi mbështetur ndërmarrësinë dhe gratë në bujqësi; dhe e kemi rritur përfaqësimin e grave në vendimmarrje.
Përmes programit “Qeveria për Familjet”, nga mbi 4 mijë persona të punësuar nga familje ku më herët nuk punonte askush, 55 për qind janë gra.
Ndërsa përmes programit “Kosovo Generation Unlimited”, nga mbi 3 mijë të rinj që kanë përfituar punë praktike, afër 60 për qind janë gra e vajza.
Këto shifra tingëllojnë si statistika të tregut të punës. Por në fakt, na tregojnë se kur politika publike shënjestron drejtë, ajo mund ta ndryshojë strukturën e mundësive, pasi kur zgjatet mbështetja, zgjerohen mundësitë.
Këto politika në thelb kanë të njëjtën logjikë: më shumë pavarësi ekonomike, që do të thotë më shumë liri për të zgjedhur. E liria për të zgjedhur është njëkohësisht çështje ekonomike dhe demokratike.
Një grua që ka të ardhura të sajat, llogari bankare të sajën, pronë, profesion dhe mundësi për punësim, ka më shumë autonomi jo vetëm në treg, por edhe në familje e në shoqëri.
Prandaj duhet të flasim edhe për ekonominë e kujdesit. Puna e papaguar është punë, edhe nëse nuk përkthehet në pagë. Kujdesi për fëmijët, për të moshuarit dhe për anëtarët e familjes krijon vlerë ekonomike edhe kur statistikat ekonomike nuk e regjistrojnë plotësisht atë.
Nëse kjo barrë bie në mënyrë disproporcionale mbi gratë, atëherë ajo shndërrohet në më pak kohë për punësim, më pak mundësi për avancim profesional dhe, përfundimisht, më pak pavarësi ekonomike.
Ekonomia që e shohim mbështetet mbi këtë ekonomi që shpesh nuk e shohim. Dhe shumë prej punës së kësaj ekonomie të padukshme e bëjnë pikërisht gratë dhe vajzat.
Andaj investimi në çerdhe nuk është vetëm investim në fëmijë. Çerdhja është edhe politikë arsimore, edhe politikë sociale, por gjithashtu edhe politikë ekonomike. Është edhe investim në punësimin e grave.
Në vitin 2021 kishim 5.555 fëmijë të regjistruar në çerdhe. Në vitin shkollor 2024/2025 sa për krahasim ky numër kishte arritur në 7.429, apo rreth 33 % më shumë. Ndërkohë janë ndërtuar ose po ndërtohen 74 çerdhe nëpër Kosovë.
Për familjet që marrin asistencë sociale e kemi nisur edhe programin e kuponëve për edukimin në fëmijërinë e hershme, përmes të cilit mbulohen deri në 150 euro në muaj për fëmijë, bashkë me transportin aty ku ofrohet.
Qëllimi është i dyfishtë: fëmija të ketë qasje në edukim të hershëm, si dhe prindi, në praktikë shumë shpesh nëna, të ketë më shumë hapësirë për punësim, arsimim dhe vetëpunësim.
Sepse koha është gjithashtu burim ekonomik. Dhe kur koha për kujdes ndahet në mënyrë të pabarabartë, edhe mundësitë ekonomike ndahen në mënyrë të pabarabartë.
Një dimension tjetër është pavarësia financiare. Përmes shtesave për lehona, afër 80 mijë nëna të reja kanë marrë mbështetje, prej tyre rreth dy të tretat të papuna. Mbi 400 mijë fëmijë kanë përfituar nga shtesat për fëmijë. Por ka edhe një efekt tjetër që ndonjëherë nuk shihet e nuk dihet aq: rreth 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë në jetën e tyre, si rezultat i këtyre masave.
Një llogari bankare mund të duket gjë e vogël administrative. Por ajo është edhe hyrje në sistemin financiar. Është mundësi për kursim, për kredi, për të bërë biznes dhe gjithsesi më shumë pavarësi.
E njëjta vlen edhe për pronën. Përmes masës afirmative për regjistrimin falas të pronës së përbashkët në emër të të dy bashkëshortëve kemi parë një ndryshim të madh. Nga vetëm 105 prona të regjistruara në vitin 2016, në vitin 2024 kishim 17.592 prona, ndërsa deri në fund të vitit 2025 numri kishte arritur në 31.124 prona të regjistruara në emër edhe të burrit edhe të gruas.
Pra, për më pak se 10 vjet, regjistrimi i pronës në emër të të dy bashkëshortëve është rritur afër 170 herë.
Në bujqësi kemi ndarë rreth 11 milionë euro për 5.655 gra fermere përmes subvencioneve dhe granteve. Ndërsa përmes programeve të mbështetjes për biznese kemi synuar që gratë të jenë jo vetëm punëmarrëse, por edhe pronare, ndërmarrëse dhe punëdhënëse.
Janë dhjetëra, mijëra gra fermere që punojnë në bujqësi. Fjala shqipe bujku përdoret vetëm në versionin e vet të gjinisë mashkullore. Tash po flas me zë, gjinia femërore do të ishte bujkneshë, bujkeshë, por ja që s’e themi dot, sepse jemi mësuar që bujku të jetë burrë. Por, janë dhjetëra, mijëra gra të cilat fjala bujku s’i kapërthen ndryshe.
Të jemi të qartë: numrat janë të rëndësishëm, por numrat nuk mjaftojnë. Përfaqësimi duhet të shndërrohet në ndikim, politika në rezultat, e buxheti duhet të shndërrohet në ndryshim.
Por patjetër na duhen të dhëna, sepse ajo që nuk matet mirë, vështirë se adresohet mirë.
Krahas së dituri se sa persona kanë përfituar nga një program i caktuar, duhet të dimë sa janë gra e sa burra, nga cilat komuna vijnë, nga cilat komunitete, nga zonat rurale apo urbane, në çfarë moshe janë dhe nëse mbështetja ka ndryshuar realisht pozitën e tyre. Sepse mesatarja mund të tregojë progres por, njëkohësisht, shpesh ta fshehë pabarazinë.
Dhe kjo na sjell te ju.
Të dashura të reja e të rinj,
Ju jeni këtu nga ekonomia, drejtësia, shkencat politike, teknologjia, gazetaria, sociologjia dhe fusha të tjera. Kjo është shumë me rëndësi, sepse barazia gjinore nuk është profesion vetëm i atyre që merren me barazi gjinore.
Ekonomisti duhet ta masë, juristi duhet ta mbrojë, gazetari duhet ta kërkojë llogaridhënien për të dhe politikëbërësi duhet ta përkthejë në vendime.
Në demokraci nuk mjafton të votojmë një herë në disa vite. Demokracia kërkon qytetarë që marrin pjesë, propozojnë, kritikojnë, hulumtojnë dhe kërkojnë llogari. E sidomos juve të rinjve: demokracia nuk ju kërkon vetëm votën, por për zërin, dijen dhe angazhimin tuaj. Mos prisni zgjedhjet për të marrë pjesë dhe mos prisni një pozitë për të pasur ndikim.
Sepse demokracia nuk trashëgohet e përfunduar nga një brez te tjetri. Çdo brez duhet ta mbrojë, ta zgjerojë dhe ta bëjë më të mirë.
E ardhmja nuk është diçka që thjesht na pret. Ajo formësohet çdo ditë, nga vendimet që marrim, nga padrejtësitë që i refuzojmë dhe nga mundësitë që hapim për njëri-tjetrin.
Dhe ju nuk jeni vetëm brezi që do ta trashëgojë Kosovën, ju jeni brezi që po e formëson atë.
Prandaj sot nuk kam ardhur vetëm te ju të flas, por njëkohësisht edhe të dëgjoj prej jush.