Kuvendi i Rahovecit shqyrton humbjet e ujit dhe miraton raportin për 273 mijë euro dëme

Prishtinë | 31 Gus 2026 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi Komunal i Rahovecit, sot mbajti mbledhjen e tetë, e cila në rend të ditës kishte 21 pika, ndër to ishin “Shqyrtimi i Informatës së KRU “Gjakova” rreth ujit të pijes dhe mirëmbajtjes së ujërave të zeza në komunën e Rahovecit”, si dhe “Shqyrtimi dhe miratimi i vendimit për miratimin e raportit të komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, të datës 21 – 27 korrik 2026”, raporton Ekonomia Online.

 Drejtori i njësisë së Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” në Rahovec, Hamid Mullabazi, tha se humbjet e ujit në rrjet vazhdojnë të jenë sfida kryesore e ndermarrjes, duke arritur në 69 për qind gjatë periudhës janar-korrik 2026.

“Gjatë periudhës janar-korrik 2026, në sistemin e furnizimit janë prodhuar mbi 2.800.000 m³ ujë, ndërsa sasia e faturuar ka qenë rreth 672.000 m³. Këto të dhëna tregojnë qartë se sfida kryesore e KRU “Gjakova” vazhdon të jetë niveli i lartë i humbjeve në rrjet, i cili për këtë periudhë arrin në 69% humbje. Kjo gjendje kërkon një qasje të përbashkët, serioze dhe afatgjatë. Humbjet nuk janë vetëm problem i një institucioni apo i një departamenti. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në sasinë e ujit që arrin te konsumatori, në shpenzimet operative, në qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes dhe mbi të gjitha në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Për këtë arsye, në raport kemi evidentuar jo vetëm problemet, por edhe zgjidhjet dhe investimet konkrete që duhet të realizohen. Në periudhën 2026-2028 janë planifikuar investime në vlerë prej 1.200.000 euro, të cilat përfshijnë ndërrimin dhe rehabilitimin e rrjetit, vendosjen e ujëmatësve smart, ndarjen e zonave të furnizimit dhe projekte të tjera infrastrukturore”, tha ai.

E kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latiti, tha se përgjegjësia për furnizimin me ujë u takon kompanive rajonale të ujësjellësit, të cilat janë nën kompetencën e Ministrisë së Ekonomisë, por shtoi se komuna po kontribuon financiarisht për të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë 24 orë.

 “Është e vërtetë që nuk është barrë e vogël financiare për komunën me investuar në diçka që është domosdoshmërisht, në shërbim të qytetarëve, sepse uji është jetik, sepse kjo është çështje ekskluzivisht përgjegjësi ekskluzive e kompanive rajonale të ujësjellësve në nivel të Kosovës me ligjin, me plotësim-ndryshimin e ligjit për ndërmarrjet publike, sepse ka pasur ligj por ka pasur edhe plotësim-ndryshim. Realisht, që i bie se këto ndërmarrje publike rajonale janë nën kompetencën e ministrisë, në rastin konkret, e Ministrisë së Ekonomisë. Por ne, për të qenë në shërbim dhe për ta dëshmuar se jemi në shërbim të qytetarëve, kujdesemi që të marrim pjesë me financat tona në mënyrë që të kryhen sa më shumë punë dhe t’u ofrojmë sa më shumë shërbime, përkatësisht të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë. Ne kemi humbje, siç e thonë, na kanë thënë edhe kryeshefi edhe inxhinierët e kompanisë, edhe natyrisht se kemi humbje të konsiderueshme. Ndërkaq, ne po themi se ka humbje dhe e pranojmë faktin që ka humbje, sikurse ka edhe në ekipet e kontrollit, ose njësitë e kontrollit, që duhet të identifikojnë se a janë humbjet pasojë e gypave të vjetër të asbestit, a janë humbje si pasojë e keqpërdorimit të ujit për nevoja të tjera, apo janë si pasojë e vjedhjeve të ujit”, tha ai.

Sa i përket defekteve, Latifi tha se ato vijnë nga gypat dhe infrastrukturës së vjetër, duke theksuar prishjen e rrugëve të sapo asfaltuara nga riparimi i defekteve.

 “Është e vërtetë që ka defekte të cilat siç jemi në dijeni ne, edhe vijnë si pasojë e gypave të vjetër të asbestit apo infrastrukturës së vjetër nëntokësore që është e kahershme edhe jemi të vetëdijshëm që ka dëm. Mirëpo ne, riparimin e defekteve që ju e bëni e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë se jeni shumë specialistë edhe shumë shpejt i kryeni. Mirëpo tani çfarë po ndodh? Pasojat prapa asnjëherë s’po kthehen në gjendjen e mëparshme pas riparimit të defektit. Kemi rrugë të asfaltuara së fundmi, jashtëzakonisht mirë të asfaltuara, dhe ndërkaq kemi defekte që janë shkaktuar pikërisht në ato rrugët e reja edhe kurrë s’kanë me mujtë më ardhë në gjendjen çfarë janë”, u shpreh Latifi.

E, Albina Durguti, anëtare e komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore të datave 21 dhe 27 korrik të vitit 2026, prezantoi një raport lidhur me vlerësimin e këtyre dëmeve, ku janë miratuar 154 kërkesa, vlera e të cilave tejkalon shumën 273,000 euro.

“Në territorin e Komunës së Rahovecit janë shkaktuar dëme materiale si pasojë e erërave të forta dhe vërshimeve të datave të lartcekura. Dëmet janë evidentuar në kultura bujqësore, veçanërisht në sera dhe në vreshta. Në kuadër të ekonomive familjare dëmet kryesisht janë shkaktuar në kulmet e me objekteve të mbuluara me llamarinë, ndërsa si pasojë e vërshimeve janë evidentuar dëme edhe në bodrumet e shtëpive dhe në pasuritë e ndryshme të familjeve të prekura. Sa i përket numrit të kërkesave, komisioni ka shqyrtuar gjithsej 167 kërkesa. Nga këto, 154 kërkesa janë miratuar, ndërsa 13 kërkesa janë refuzuar pas shqyrtimit dhe verifikimit të gjendjes faktike në teren. Nga 154 kërkesat e miratuara, dëmet janë kategorizuar si më poshtë: 97 raste janë në bujqësi; 49 raste janë në ekonomi familjare; 3 raste janë në biznese; 5 raste janë dëme të shkaktuara në vetura. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, vlera e përgjithshme e dëmeve të vlerësuara për 154 rastet e miratuara është 273 mijë e 14 euro e 74 centë”, tha ajo.

Në këtë seancë, poashtu u miratua vendimi për nismën e bashkëpunimit komunal ndërkombëtar ndërmjet Komunës së Rahovecit dhe Bashkisë së Vakaricit të Republikës së Italisë.

Figura e tanishme s’ka tekst alternativ. Emri i kartelës është: smajl-latifaj.jpg

Të ngjashme