Më 4 tetor skadojnë licencat e dy termocentraleve që prodhojnë pjesën dërrmuese të energjisë elektrike në Kosovë.
Nëse deri atëherë nuk funksionalizohet Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), nuk ka kush të marrë vendimin për vazhdimin e licencave të “Kosovës A” dhe “Kosovës B”.
ZRRE-ja konfirmon për Radion Evropa e Lirë se, pa vazhdimin e licencave, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk ka bazë ligjore për të vazhduar prodhimin.
Por, as ZRRE-ja dhe as KEK-u nuk sqarojnë se çfarë do të ndodhë konkretisht pas 4 tetorit, nëse deri atëherë problemi nuk zgjidhet.
Radio Evropa e Lirë i ka pyetur të dyja institucionet nëse termocentralet do të duhet ta ndërpresin prodhimin dhe nëse ekziston ndonjë mekanizëm ligjor që do t’ua mundësonte vazhdimin e përkohshëm të punës.
Në këto pyetje nuk ka marrë përgjigje.
Ndërprerja eventuale e prodhimit të KEK-ut do ta rriste ndjeshëm varësinë e Kosovës nga importi i energjisë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për pasoja në sigurinë e furnizimit dhe kosto të mëdha financiare.
Problemi qëndron te Bordi i ZRRE-së, institucioni që ka kompetencën për të vendosur për licencimin e prodhuesve të energjisë.
Bordi, aktualisht, nuk ka kuorum për vendimmarrje, pasi i mungojnë dy anëtarë dhe kryesuesi.
Procedura për plotësimin e këtyre pozitave ka nisur.
Ministria e Ekonomisë ka publikuar listën e kandidatëve të përzgjedhur për dy pozitat e anëtarëve dhe atë të kryesuesit të Bordit.
Por, procedura nuk mund të përfundojë pa Kuvendin.
Pas përzgjedhjes, emrat duhet t’i dërgohen Qeverisë, e cila më pas ia përcjell Kuvendit për votim.
Emërimi përfundimtar i anëtarëve të Bordit është kompetencë e deputetëve.
“Lista e kandidatëve do të dërgohet pasi të plotësohen kushtet ligjore, duke përfshirë konstituimin e Kuvendit, pasi emërimi i Bordit të ZRRE-së është përfundimisht kompetencë e Kuvendit të Kosovës”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Ekonomisë për Radion Evropa e Lirë.
KEK-u, ndërkohë, i ka dorëzuar ZRRE-së aplikacionet për vazhdimin e licencave për “Kosovën A” dhe “Kosovën B”.
ZRRE-ja thotë se stafi profesional tashmë i ka trajtuar ato.
Por, vendimi përfundimtar nuk mund të merret.
“Pa krijimin e kuorumit ligjor, nuk mund të merret vendim përfundimtar lidhur me aplikacionet e KEK-ut”, thotë ZRRE-ja.
Pas skadimit të licencave, sipas ZRRE-së, vazhdimi i aktivitetit të prodhimit kërkon një vendim të vlefshëm të Bordit.
Por, ZRRE-ja nuk ka sqaruar nëse kjo nënkupton se KEK-u do të duhet ta ndërpresë prodhimin menjëherë pas skadimit të licencave.
As KEK-u nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çfarë do të bëjë nëse hyn në 5 tetor pa licenca të vazhduara dhe nëse ka përgatitur ndonjë plan alternativ për një skenar të tillë.
Pesha e kësaj paqartësie është e madhe, pasi sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të varet kryesisht nga termocentralet e KEK-ut.
Të dhënat e ZRRE-së për vitin e kaluar tregojnë se prodhimi vendor i energjisë elektrike, përfshirë burimet e ripërtëritshme, arriti në 5.298 gigavat-orë (GWh), ndërsa kërkesa e përgjithshme ishte 6.944 GWh.
Vetëm termocentralet e KEK-ut prodhuan 4.687 GWh, apo mbi 88 për qind të gjithë energjisë së prodhuar brenda vendit.
Hidrocentralet dhe burimet e tjera të ripërtëritshme prodhuan rreth 611.5 GWh.
Në total, prodhimi vendor mbuloi mbi 76 për qind të kërkesës së konsumatorëve, ndërsa pjesa tjetër u sigurua përmes importit.
Kjo do të thotë se një ndërprerje eventuale e prodhimit nga “Kosova A” dhe “Kosova B” do ta rriste ndjeshëm nevojën e vendit për energji nga jashtë.
Njazi Thaçi, ish-drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, e cilëson situatën të pazakontë dhe të papranueshme.
“Është e paimagjinueshme që blloqet të ndalen për shkak se nuk vazhdohet licenca. Ky është një rast i paprecedent. Kosova nuk mund të mbetet vetëm me prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme”, thotë Thaçi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, prodhimi nga burimet alternative është i pamjaftueshëm për të zëvendësuar kapacitetet e KEK-ut.
“Kosova nuk ka prodhim të mjaftueshëm nga burimet alternative. Kjo është kërkesë urgjente, e cila kërkon zgjidhje, dhe subjektet politike duhet ta kenë parasysh që të gjejnë mënyrën për konstituimin e Kuvendit”, shton ai.
Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka përmbyllur procesin e konstituimit të nisur më 6 gusht dhe nuk ka një datë për vazhdimin e seancës.
Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të fundit, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është në opozitë, ishin në bisedime për një marrëveshje politike – përfshirë edhe çështjen e presidentit të ardhshëm – përpara se të thirrej vazhdimi i seancës.
Pasditen e 31 gushtit, dy partitë njoftuan se janë pajtuar për emrin e Bekim Sejdiut për postin e presidentit, por mbetet ende e paqartë se si do të vijojë procesi i konstituimit të institucioneve.
Ethem Çeku, njohës i çështjeve energjetike, thotë se, pavarësisht situatës së ndërlikuar institucionale – me Qeveri në detyrë dhe pa Kuvend funksional – duhet të gjendet një zgjidhje ligjore që të mos lejohet skadimi i licencave pa mundësi vazhdimi.
Në të kundërtën, sipas tij, Kosova do të bëhej shumë më e varur nga importi i energjisë elektrike.
“Kjo do të krijonte një kosto prej qindra miliona eurosh, e cila fillimisht do të binte mbi buxhetin e shtetit dhe më pas do të reflektohej drejtpërdrejt te qytetarët përmes tarifave të energjisë”, thotë Çeku për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, në rast të rritjes së ndjeshme të importeve, furnizuesi mund të kërkojë kompensim apo subvencionim nga Qeveria për kostot shtesë.
Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) është e obliguar të sigurojë furnizimin e konsumatorëve.
Ajo e blen energjinë kryesisht nga KEK-u, ndërsa mungesën ndërmjet prodhimit vendor dhe kërkesës e mbulon përmes importit.
“Në rast të ndryshimeve në bilancin e furnizimit dhe kërkesës, KESCO ndërmerr masat e nevojshme për sigurimin e energjisë, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ dhe kushtet e tregut”, thonë për Radion Evropa e Lirë nga kjo kompani.
Radio Evropa e Lirë e pyeti KESCO-n se sa energji do të duhej të importonte nëse prodhimi i KEK-ut do të ndërpritej dhe sa mund t’i kushtonte një skenar i tillë.
Kompania nuk dha vlerësime, duke thënë se nuk mund të spekulojë për skenarë hipotetikë dhe se sasitë dhe kostot e importeve varen nga rrethanat dhe kushtet e tregut në kohën përkatëse.
Por, importi i energjisë tashmë i kushton Kosovës qindra miliona euro.
Vetëm gjatë vitit 2025, Kosova shpenzoi rreth 240 milionë euro për import të energjisë elektrike, me një çmim mesatar prej 146 eurosh për megavat-orë (MWh).
Kështu, më pak se pesë javë para skadimit të licencave, mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me prodhimin e energjisë në “Kosovën A” dhe “Kosovën B” nëse deri më 4 tetor nuk funksionalizohet Bordi i ZRRE-së. /REL