Opinionistja Meliza Haradinaj ka vlerësuar marrëveshjen VV-LDK për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke thënë se të dyja partitë kanë treguar maturi dhe përgjegjësi politike e institucionale.
Në “Rubikon” në Klan Kosova, Haradinaj tha se edhe PDK-ja dhe AAK-ja duhet ta përkrahin Sejdiun, të cilin e cilësoi si figurë me integritet profesional, moral dhe institucional.
Pikë së pari mendoj që duhet t’i përgëzojmë të dyja partitë politike që pas një kohe kaq të gjatë bllokade dhe mospajtimesh, kemi një maturi politike të Vetëvendosjes dhe një përgjegjësi të lartë politike, institucionale, shtetërore. Me marrëveshjen e sotme mendoj që i është bërë nder Kosovës me një kandidaturë të tillë siç është profesor doktor Bekim Sejdiu. Një person i cili nuk fillon nga zeroja. Kontributin e tij e vazhdon aty ku, të themi, e ka lënë në kabinetin e zonjës Osmani, po edhe shumë më herët në disa funksione publike, të themi institucionale, që i ka mbajtur shumë vite më parë dhe për të cilat dëshmon historikisht edhe e dëshmon integritetin e tij dhe e dëshmon atë që sot thuhej e mbahej nga të gjitha personalitetet me peshë në Kosovë, në jetën publike, në përkrahje të kandidaturës së zotri Sejdiu”, ka thënë Haradinaj.
Ajo theksoi se deputetët duhet të jenë të pranishëm në sallë dhe, nëse nuk pajtohen me kandidaturën, ta shprehin qëndrimin përmes votës kundër ose abstenimit, e jo duke e sabotuar seancën.
Sipas saj, dështimi i zgjedhjes së presidentit do ta çonte vendin sërish në zgjedhje, ndërsa deputetët do të mbanin përgjegjësi individuale për një vendim të tillë.