“Vjelja e Rrushit Kosova 2026”, Shahini: Shteti nuk mund të jetë i fuqishëm pa prodhim

Prishtinë | 01 Sht 2026 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) në bashkëpunim me  kompaninë “Stone Castle” në Rahovec kanë organizuar “Vjelja e rrushit Kosova 2026”, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka bërë thirrje për përkrahje më të madhe ndaj prodhimit vendor dhe rritje të eksporteve të Kosovës.

Shahini ka thënë se, pas çdo vështirësie, vijnë ditë të mira, duke shprehur shpresën se sektori i prodhimit do të avancohet edhe më shumë.

“Pas çdo vështirësie vijnë ditë të mira. Besojmë dhe shpresojmë që sektori juaj do të avancohet edhe më shumë. Së pari duke përkrahur produktet e juaja si konsumator kosovar, së dyti qeveria duke ndihmuar dhe duke i rritur subvencionet e pakusht për juve, dhe së treti duke tentuar t’ju ndihmojmë juve dhe çdo prodhuesi vendor që të eksportojë më shumë nëpër vendet e tjera.

Sot kur po flasim, bilanci tregtar në Kosovë është tepër i dobët krahasuar mes importit dhe eksportit. Sipas një studimi tonë që kemi bërë ditë më herët, rezulton që vitin 2026 dhe në fund të vitit ne do të kemi një import mes 7.7 dhe 8 miliardë euro, kurse prodhimi vendor do të jetë përafërsisht me të gjitha produktet e tjera biznesore, shërbyese do të jenë mbi 1 miliard euro eksport. Çka do të thotë që bilancin negativ tregtar e kemi diku mbi 6.5 dhe 6.7”, ka thënë Shahini.

Ai, ka thënë se ekonomia e vendit duhet të ndihmohet, duke shtuar se shteti nuk mund të jetë i fuqishëm pa prodhim.

“Eksporti në parashikim, ne jemi sot këtu në fushatë për t’ju thënë të gjithë konsumatorëve kosovarë: konsumoni prodhimin e vendit. Sepse ne duhet ta ndihmojmë ekonominë e vendit. Vetëdijsohuni që pa prodhim ne, shteti ynë nuk mund të jetë i fortë dhe i fuqishëm.

Ne kemi kaluar pothuajse… ne jemi ballafaquar me mungesë të institucioneve të Shtetit të Kosovës tash e dy vite. Dhe këto kanë dërguar mesazh jo të mirë për Kosovën tonë, për sigurinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Prandaj, ne kemi mungesë të energjisë elektrike dhe për këtë mungesë të energjisë elektrike ka alternativa amerikane. Që ne do të duhet me çdo kusht ta plotësojmë këtë kërkesë dhe të kyçemi në gypat e gazit në mënyrë që të kemi energjinë e gazit dhe energjinë elektrike më të lirë”, tha Shahini.

Të ngjashme