Paralajmërimi për varrosjen e Mlladiqit me nderime, “mesazh i rrezikshëm” për boshnjakët në Serbi

Prishtinë | 01 Sht 2026 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

“Unë, në asnjë mënyrë, nuk do të jem pjesë e atij varrimi [të Ratko Mlladiqit]”, thotë për Radion Evropa e Lirë ministri i Turizmit dhe Rinisë i Serbisë, Husein Memiq.

“Ratko Mlladiq është një njeri që është dënuar nga Tribunali i Hagës dhe për këtë nuk ka më çfarë të thuhet”, thotë Memiq, i cili është pjesë e Qeverisë së Serbisë nga radhët e Partisë Demokratike të Sanxhakut.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, kjo parti garoi në kuadër të listës së udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe.

Reagime të ashpra nga pjesëtarët e pakicës kombëtare boshnjake në Serbi pasuan paralajmërimin e ministrit serb të Drejtësisë, Nenad Vujiq, se krimineli i dënuar i luftës, Ratko Mlladiq, do të varroset në Serbi “me nderimet më të larta shtetërore”.

Qeveria e Serbisë, Ministria e Drejtësisë dhe Presidenca nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me paralajmërimet për varrimin e Mlladiqit dhe as nuk dhanë hollësi për përfshirjen eventuale të shtetit serb në të.

Edhe ministri Memiq thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë konfirmim nga Qeveria se Mlladiq do të varroset me nderime shtetërore.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 28 gusht se Mlladiq “do të varroset aty ku dëshiron familja” dhe se “autoritetet në Serbi, aktualisht, nuk kanë asnjë informacion për këtë”.

Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, u dënua në vitin 2021 nga gjykata në Hagë me burgim të përjetshëm për krime dhe gjenocid ndaj boshnjakëve.

Ai u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës, përndjekjen dhe zhvendosjen me forcë të popullsisë, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe marrjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Mlladiq vdiq më 27 gusht në Hagë, pas problemeve të rënda shëndetësore.

Reagimet për Mlladiqin në Sanxhak

Këshilli Kombëtar Boshnjak e dënoi, përmes një deklarate më 29 gusht, paralajmërimin për varrosjen e Mlladiqit me nderime shtetërore, duke thënë se shteti po u dërgon boshnjakëve një “mesazh të rrezikshëm”.

Ai u bëri thirrje zyrtarëve që të mos e madhërojnë një kriminel të dënuar të luftës.

Nga Tubimi i Qytetarëve të Novi Pazarit – një prej organizimeve joformale qytetare të krijuara gjatë protestave studentore – i thanë Radios Evropa e Lirë se mesazhi për nderime shtetërore ndaj Mlladiqit është “i tmerrshëm”.

“Nuk mund të kërkoni nga boshnjakët të kenë besim në institucione dhe, në të njëjtën kohë, t’i bëni nderime shtetërore një njeriu të dënuar për gjenocid ndaj popullit të tyre. Kjo, thjesht, nuk është rruga drejt pajtimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Aty theksohet se “më e rrezikshmja nga të gjitha është përpjekja për normalizim, imponimi i tezës se boshnjakët duhet ta pranojnë madhërimin e Mlladiqit si një lloj realiteti shoqëror”.

“Ne nuk e pranojmë këtë”, thuhet në përgjigje.

Ahmed Dellimegjac, avokat nga Novi Pazari, qytet në jugperëndim të Serbisë me popullsi shumicë boshnjake, ndan shqetësimin e boshnjakëve.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se druan që, duke pasur parasysh atmosferën në shoqëri, varri i Mlladiqit mund të shndërrohet në mauzole.

“Ky është vazhdim i rrugës në të cilën Serbia ndodhet tashmë prej kohësh – fuqizimi, madhërimi dhe pranimi i këtyre krimeve të luftës”, thotë Dellimegjac.

Mesazhet në mbështetje të Mlladiqit kanë vërshuar mediat në Serbi dhe në Republikën Sërpska, të nxitura edhe nga disa politikanë, si ish-presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili deklaroi se bëhet fjalë për një “vrasje”.

Kur bëhet fjalë për Serbinë, qëndrimi ndaj Mlladiqit është çështje veçanërisht e ndjeshme në Sanxhak – rajon në jugperëndim të këtij vendi me popullsi shumicë boshnjake – ku që gjatë Luftës së Dytë Botërore janë dokumentuar krime të lëvizjes çetnike serbe ndaj boshnjakëve.

Aleksandar Popov, nga organizata joqeveritare Qendra për Rajonalizëm, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se pushteti në Serbi, prej kohësh, kultivon narrativë që relativizojnë krimet e luftës dhe se kjo është vetëm vazhdimësi e një politike të tillë.

“Vendimi i Tribunalit të Hagës ndaj Ratko Mlladiqit [më 2021] ishte i qartë. Në vend që pas tij të niste procesi i ballafaqimit me të kaluarën, u vazhdua me madhërimin e atyre që kryen krime”, thotë ai.

Paralajmërimet për varrimin dhe “relativizimi i krimeve”

Avokati Ahmed Dellimegjac thotë se, pas vdekjes së Mlladiqit, mesazhe që relativizojnë krimet ka pasur nga të gjitha anët – si nga zyrtarët, ashtu edhe nga mediat e afërta me pushtetin.

“Autoritetet dërgojnë mesazhe për trajtimin johuman të Mlladiqit në Hagë, merren deklarata nga mjekët e Mlladiqit, ndërkohë që ai është një njeri i dënuar me burgim të përjetshëm”, thotë ai.

Dellimegjac shton se “bota normale tmerrohet dhe frikësohet” nga ideja që një krimineli të luftës t’i bëhen nderime në Beograd.

Këshilli Kombëtar Boshnjak theksoi përmes një deklarate se paralajmërimi për varrosjen e Mlladiqit me nderime shtetërore, “flet për raportin e regjimit me të kaluarën e vet, me vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe me vlerat drejt të cilave pretendon se synon”.

“Ratko Mlladiq nuk ishte hero dhe as model ushtarak. Ai ishte komandant i një ushtrie, pjesëtarët e së cilës kryen krimet më të rënda në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore”, thuhet në deklaratën e Këshillit Kombëtar Boshnjak.

Se Ratko Mlladiq do të varrosej me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, paralajmëroi fillimisht, më 28 gusht, ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq.

“Gjenerali Mlladiq është gjeneral dhe protokollet dihen. Dihet edhe roli i tij, por ajo që i takon gjeneralit Mlladiq sigurisht se do të respektohet”, tha Vujiq për televizionin ATV nga Banjalluka.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u deklarua po atë ditë, duke u distancuar nga paralajmërimi për nderime shtetërore.

Ai tha se Mlladiq “do të varroset aty ku dëshiron familja” dhe se autoritetet në Serbi, aktualisht, nuk kanë asnjë informacion për këtë.

Vuçiq tha, gjithashtu, se Haga ka dashur që Mlladiq të vdiste prapa grilave dhe e cilësoi këtë si “sjellje anticivilizuese, të paprecedent dhe të pajustifikueshme”.

Popov vlerëson se Vuçiq e “zbuti” deklaratën e ministrit të Drejtësisë për nderimet shtetërore, nga frika e reagimit të Bashkimit Evropian.

“Me një varrim të tillë të Ratko Mlladiqit, shteti merr mbi vete gjithçka që ka bërë Ratko Mlladiq. Ai rreshtohet plotësisht pas asaj”, thotë Popov.

Komisioni Evropian deklaroi më 28 gusht se u takon autoriteteve të Serbisë të vendosin se çfarë roli do të kenë në varrimin e kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq.

Komisioni theksoi se çdo madhërim i kriminelëve të luftës bie ndesh me vlerat më themelore evropiane dhe se për të “nuk ka vend as në Bashkimin Evropian, as në vendet kandidate për anëtarësim”.

Incidentet në tribunat sportive

Deklaratat dhe reagimet pas vdekjes së Mlladiqit janë bartur edhe në stadiume.

Në incidentin e fundit, tifozët e Novi Pazarit, gjatë ndeshjes së klubit të tyre me Maçvën, hodhën pelena në fushë dhe brohoritën parulla fyese ndaj Mlladiqit.

Këtij incidenti i kishin paraprirë raste të madhërimit të Mlladiqit në tribunat sportive në Serbi dhe në Republikën Sërpska.

Në ditën e vdekjes së Mlladiqit, tifozët e klubit të Beogradit, Crvena Zvezda, gjatë ndeshjes ndërkombëtare kundër Viktoria Plzenit në Çeki, shpalosën pankarta me mbishkrimin “Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit”, ndërsa brohoritën emrin e Ratko Mlladiqit.

Qendra Përkujtimore e Srebrenicës i kërkoi UEFA-s që ta përjashtojë përgjithmonë Crvena Zvezdën nga garat evropiane, pasi tifozët e klubit shpalosën pankarta kushtuar Mlladiqit dhe brohoritën emrin e tij gjatë ndeshjes kundër Viktoria Plzenit.

Të ngjashme