Rukiqi pas Kryesisë së LDK-së: Asnjë qëndrim kundër, pati lavdata për punën dhe integritetin e Sejdiut

Prishtinë | 01 Sht 2026 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Pas mbledhjes së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Berat Rukiqi, ka dhënë detaje lidhur me diskutimet e zhvilluara gjatë takimit, raporton Ekonomia Online.

Rukiqi ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë nuk ka pasur qëndrime kundër propozimit për president, ndërsa ka thënë se përkundrazi, janë shprehur vlerësime për punën dhe integritetin profesional, akademik dhe institucional të Bekim Sejdiut.

“Asnjë qëndrim kundër. Përkundrazi, pati lavdata për krejt punën dhe për krejt integritetin profesional, akademik dhe institucional të zotit Sejdiu”, tha Rukiqi.

I pyetur se a do të qëndrojnë në sallë të gjithë deputetët e LDK-së, Rukiqi u shpreh se kjo mbetet si qëndrim i grupit parlamentar.

“Kjo pastaj mbetet më mbas nga qëndrimet e grupit parlamentar që do të jenë tani pas pak minutash, ndoshta pas 30 minutash nga tani. Do të ketë mbledhje të grupit parlamentar dhe aty do të secili deputet e ka të drejtën dhe me lirinë e plotë t’i shprehë qëndrimet e veta. Por, normalisht, qëndrimi i Kryesisë ishte që të ketë një qëndrim të unifikuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës në raport me këtë proces, i cili në fund të fundit nuk është personal, nuk është për shkak të një situate individuale të caktuar, por është proces për vendin, për me e ruajtur stabilitetin institucional.

Shihni pak a shumë secili ka pasur informacion për procesin e negociatave, por për shkak të diskrecionit të negociatave, kjo është mbajtur, domethënë, në diskrecionin e atij ose asaj ekipe negociuese e cila është autorizuar për me… për me pasur, domethënë, qëndrim. Normalisht, kështu ka qenë procesi edhe në të kaluarën. Domethënë, ka pasur negociata, është arritur një marrëveshje, pastaj është kthyer kryetari i partisë nëpër organe dhe ka marrë qëndrime.

Nëse nuk ka përkrahje të organeve të partisë, marrëveshja pastaj e humb kuptimin. Por kjo ka qenë procesi gjithmonë. Domethënë, unë me sa e mbaj mend edhe kur kam qenë jashtë politikës, në çdo rast, edhe… edhe partitë e tjera, në këtë rast edhe pala tjetër, edhe në të kaluarën palë të ndryshme negociuese, kanë negociuar, janë marrë vesh për diçka, pastaj janë kthyer prapa dhe kanë diskutuar emrin. Nuk ka diçka të panatyrshme këtu”, tha Rukiqi

Rukiqi ka theksuar se vendimi i Kryesisë lidhet me nevojën për një qëndrim të unifikuar të LDK-së për procesin, duke e cilësuar atë si një çështje që, sipas tij, shkon përtej situatave individuale dhe lidhet me ruajtjen e stabilitetit institucional.

Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se qëndrimet përfundimtare të deputetëve të LDK-së do të diskutohen në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ku secili deputet do të ketë mundësinë që të shprehë lirshëm qëndrimin e tij.

Figura e tanishme s’ka tekst alternativ. Emri i kartelës është: rukiqi-foto.jpg

Të ngjashme