Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për posedim të armës dhe hedhjen e bombolës së gazit, raporton Ekonomia Online.
Pas shpalljes së vendimit, avokati i Sveçlës, Laur Prenaj, tha se gjykata ka shpallur vetëm pjesën e vendimit, ndërsa mbrojtja do të presë vendimin e arsyetuar para se të japë qëndrimin e saj.
“Gjykata e shpalli vendimin e sotshëm që ka marrë, por është vendim në gjysmë. Kështu që neve na duhet ta presim vendimin e arsyetuar që t’i japim komentet më tutje”, tha Prenaj.
Ai e konsideroi të pazakontë faktin që është shpallur fajësia pa u caktuar ende dënimi.
“Kjo është e pazakontë në praktikë, por megjithatë ne do ta presim vendimin e arsyetuar që të mund të japim komente më tutje. Dhe gjithashtu ne patjetër që do ta shfrytëzojmë të drejtën e ankesës”, deklaroi avokati.
Prenaj tha se mbrojtja gjatë procesit gjyqësor ka pretenduar se aktakuza ndaj Sveçlës ka pasur probleme.
“Ne kemi thënë edhe në shqyrtim fillestar edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor, që kjo aktakuzë ka pasur shumë probleme dhe do ta presim patjetër arsyetimin e gjykatës që të shohim se ku është bazuar dhe pastaj do të bëjmë komentet tona dhe patjetër që do të bëjmë ankesë”, tha Prenaj.
Sa i përket kohëzgjatjes së procesit, i cili ka zgjatur rreth tetë vjet, Prenaj tha se tash procedura ka arritur në fund.
“Po megjithatë, tash kemi ardhur tek fundi i procedurës. Prapë po e përsëris që do ta presim vendimin, do ta shohim se çfarë shënon në të dhe t’i japim komentet tutje”, shtoi ai.