Dezinformimi, përmbajtjet e manipuluara me inteligjencë artificiale dhe kërcënimet ndaj hapësirës informative po shihen si sfida gjithnjë e më serioze për demokracinë dhe ruajtjen e paqes në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Në një aktivitet të dedikuar rreth kësaj çështjeje, përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë theksuan nevojën për bashkëpunim, edukim medial, mendim kritik dhe mbështetje për gazetarinë e pavarur përballë përhapjes së lajmeve të rreme dhe përmbajtjeve të krijuara me AI.
Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shef i UNMIK-ut, Peter Due, ka deklaruar se ruajtja e integritetit të hapësirës informative është përgjegjësi e përbashkët dhe e domosdoshme për ruajtjen e paqes në Kosovë.
“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë kërcënimet digjitale ndaj paqes, të mbështesim iniciativat që avancojnë edukimin digjital në komunitete dhe të qëndrojmë pranë gazetarëve të pavarur që kryejnë punën e tyre me guxim, shpesh në rrethana të vështira. Mbështetja e integritetit të hapësirës informative është përgjegjësi kolektive dhe është thelbësore për mbrojtjen e paqes së arritur me shumë përpjekje”, deklaroi ai.
Ndërsa, Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, tha se përhapja e dezinformatave, polarizimi politik dhe përmbajtjet e krijuara përmes inteligjencës artificiale janë sfida që nuk kufizohen vetëm në Kosovë.
Ajo përmendi disa raste të shfaqjes së përmbajtjeve të manipuluara në Finlandë, përfshirë video deepfake dhe fotografi të krijuara ose ndryshuara me inteligjencë artificiale.
“Një video deepfake që vendoste një deputete në një situatë komprometuese, imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale që linin të kuptohej se një deputete ishte shtatzënë, fotografi të manipuluara të politikanëve duke shijuar festivale verore. Dhe kjo ishte në Finlandë. Dezinformimi nuk mund të luftohet brenda natës dhe as vetëm nga qeveritë. Ai fillon me edukimin, mendimin kritik, gazetarinë e pavarur dhe shprehinë e thjeshtë për të pyetur veten nëse ajo që shohim dhe shpërndajmë është në të vërtetë e vërtetë”, deklaroi Laaksonen.
Laaksonen theksoi se edukimi medial mbetet një komponent i rëndësishëm në përballjen me dezinformimin, por sipas saj nuk është zgjidhje e vetme, veçanërisht përballë zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale.
Sipas saj, teknologjia ka ndryshuar jo vetëm shpejtësinë me të cilën prodhohet përmbajtja e rreme, por edhe mënyrën se si ajo paraqitet dhe perceptohet nga publiku.
Në këtë aktivitet, Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, foli për rritjen e përdorimit të dezinformimit nga shtetet armiqësore dhe aktorët e lidhur me to, me synim dobësimin e shoqërive demokratike.
“Asnjëra nga demokracitë tona nuk është imune ndaj kësaj. Prandaj, për ne në Mbretërinë e Bashkuar, është shumë e rëndësishme të punojmë me të gjithë ju në Kosovë për këtë çështje, sepse është një çështje me interes dhe rëndësi të përbashkët. Kam dëgjuar shumë shpesh nga gratë politikane gjatë javëve dhe muajve të fundit se si imazhet e manipuluara po përdoren për t’i tallur, frikësuar dhe dëmtuar gratë lidere”, tha ai.

