“16 shtatori mund të krahasohet me 17 Shkurtin”, Tasholli për gjykimin në Hagë

Prishtinë | 02 Sht 2026 | 19:22 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi i platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, tha se data 16 shtator, kur pritet të jepet verdikti final për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, mund të ketë rëndësi historike për Kosovën, duke e krahasuar atë me 17 Shkurtin, ditën e shpalljes së pavarësisë.

Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Tasholli tha se vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë mund të ketë ndikim të madh për Kosovën dhe shqiptarët.

“Është shumë e rëndësishme se situata kurrë nuk ka qenë më e zëshme për Kosovën, dhe 16 shtatori mundet me u krahasu lirisht me 17 Shkurtit, shpalljen e pavarësisë, sepse ajo që e thashë, nëse verdikti është negativ, shteti qytetar më s’ka kuptim as si koncept as si praktikë, nëse është pozitiv është lajmi i mirë për shqiptarë kudo që ndodhin, se e merr UÇK-ja edhe legjitimitetin e fundit për pastërtinë e saj ashtu se qysh është bërë lufta dinjitetshëm, ashtu qysh nuk janë prek disa rregulla të luftës që janë shumë të rëndësishme… E kemi dëshmuar jo vetëm në luftën e fundit, e kemi dëshmuar në të gjitha luftërat. Ne kemi fol shpeshherë për marshin e Hasan Prishtinës në Shkup ose gjeneralëve të Dibrës kur i kanë zënë robër”, tha Tasholli.

Tasholli tha se lufta e UÇK-së ishte zhvilluar për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, dinjitetit dhe lirisë së qytetarëve.

Të ngjashme