Tronditëse në burgun e Austrisë: 17-vjeçari pranon se vrau bashkëvuajtësin me brisk rroje

Prishtinë | 03 Sht 2026 | 18:00 | Nga Ekonomia Online

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Austri, pasi një 17-vjeçar ka pranuar se vrau bashkëvuajtësin e tij 19-vjeçar në qelinë e tyre të përbashkët në burgun e Klagenfurtit.

Sipas hetimeve paraprake, adoleshenti në paraburgim e kishte mbytur fillimisht viktimën derisa kishte humbur ndjenjat, e më pas i kishte prerë fytin me një brisk rroje njëpërdorimsh.

Trupi i pajetë i 19-vjeçarit, i cili po vuante një dënim për krime pronësie, u zbulua në mëngjes nga stafi i burgut, të cilët nuk kishin vënë re asgjë gjatë natës, shkruajnë mediat gjermane.

Autoritetet ndodhen tashmë nën presion të madh për shkak të rrethanave të ngjarjes.

17-vjeçari ndodhej në paraburgim për shkak të rrezikut të përsëritjes së veprës penale, pasi dyshohet se më parë kishte kërcënuar të afërmit me vdekje dhe kishte tentuar t’i vëntë zjarrin një pallati.

Përveç hetimeve penale të udhëhequra nga Prokuroria, Avokatura e Popullit në Austri ka nisur një procedurë zyrtare verifikimi.

 Kontrolli do të fokusohet veçanërisht te fakti se pse nuk u veprua më shpejt ndaj indikacioneve për gjendjen mendore të autorit dhe nëse ai duhej të ishte vendosur në një institucion të specializuar mjekësor.

Të ngjashme