Gjykata i mbyll rrugën tjetërsimit të pronës së Universitetit të Prishtinës te fakultetet teknike

Prishtinë | 05 Sht 2026 | 11:11 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 24 gusht 2026, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vendosjen e masës së sigurimit mbi një ngastër kadastrale prej 68 ari në zonën e fakulteteve teknike, e cila është pronë komunale në shfrytëzim të përhershëm të Universitetit të Prishtinës.

Sipas Universitetit të Prishtinës, masa e sigurisë ndalon çdo veprim që do të mund të çonte në shitjen, bartjen, dhurimin, ngarkimin me barrë, dhënien në shfrytëzim, ndryshimin e gjendjes faktike apo tjetërsimin e kësaj prone në çfarëdo forme.

UP-ja e konsideron vendimin një zhvillim të rëndësishëm në mbrojtjen e pasurisë publike dhe të interesit të Universitetit.

Për vite me radhë, mbi këtë pronë kanë ekzistuar pretendime nga persona privatë. Sipas Universitetit, ndaj tij janë paraqitur edhe kërkesa financiare në vlera milionëshe për pagesën e qirasë për një hapësirë që UP-ja thotë se e ka shfrytëzuar në mënyrë legjitime për veprimtarinë akademike dhe institucionale.

Universiteti vlerëson se masa e sigurisë jo vetëm që e mbron pronën gjatë zhvillimit të procedurave, por edhe e mbron institucionin dhe buxhetin publik nga pasoja të mundshme financiare.

Pretendimet për pronësinë

Çështja lidhet me një aktgjykim të pretenduar të ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë, të datës 27 maj 1998, mbi bazën e të cilit pretendohet se prona komunale kishte kaluar në pronësi private dhe më pas ishte bartur te persona të tjerë.

Rasti ishte trajtuar edhe nga Komisioni Parlamentar i Kuvendit të Kosovës për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Në raportin e 14 majit 2024, Komisioni kishte evidentuar probleme dhe dyshime serioze lidhur me dokumentacionin dhe historikun e pronës, duke kërkuar që çështja të trajtohej nga organet kompetente të drejtësisë.

Universiteti i Prishtinës ka shprehur mirënjohje për punën e ish-Komisionit Parlamentar, duke përmendur në mënyrë të veçantë ish-deputeten Fitore Pacolli dhe Milazim Salijajn për angazhimin e tyre në trajtimin e rastit.

UP-ja ka falënderuar gjithashtu sistemin prokurorial, institucionet e hetuesisë dhe zyrtarët që kanë kontribuar në trajtimin e çështjes brenda përgjegjësive të tyre ligjore.

UP-ja: Prona publike nuk është pronë pa zot

Universiteti thotë se që nga marrja e mandatit, menaxhmenti aktual, i udhëhequr nga rektori prof. Arben Hajrullahu, e ka vendosur mbrojtjen e pasurisë universitare ndër prioritetet kryesore.

Sipas UP-së, janë evidentuar raste të ndryshme, janë mbledhur dokumente dhe dëshmi, ndërsa rastet ku ka dyshime për shkelje janë përcjellë dhe do të vazhdojnë të përcillen te organet kompetente të rendit dhe drejtësisë.

“Prona publike nuk është pronë pa zot. Ajo i përket publikut. Dhe Universiteti i Prishtinës do ta mbrojë atë pa kompromis”, thuhet në qëndrimin e Universitetit.

Në të njëjtën kohë, UP-ja ka njoftuar se ka ndërmarrë hapa për rikthimin në funksion të hapësirave të tjera universitare.

Studentët dhe personeli akademik i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë pritet ta fillojnë vitin akademik në objektin e ri, i cili për më shumë se dhjetë vjet nuk ishte shfrytëzuar për shkak të afërsisë me infrastrukturën e tensionit të lartë dhe depo të tjera teknike. Sipas Universitetit, këto pengesa tashmë janë larguar.

Afati deri më 30 tetor

Universiteti i Prishtinës u ka bërë thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që mbajnë, shfrytëzojnë ose pretendojnë pa bazë të qartë juridike hapësira dhe prona universitare që, deri më 30 tetor 2026, t’i lirojnë dhe t’ia kthejnë ato Universitetit.

UP-ja ka ftuar gjithashtu zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarët, si dhe qytetarët që posedojnë informacione, dokumente ose të dhëna për tjetërsim, uzurpim, keqpërdorim apo veprime të tjera të dyshimta që lidhen me pronat universitare, që këto të dhëna t’ia përcjellin Universitetit ose drejtpërdrejt organeve kompetente.

Universiteti i Prishtinës ka deklaruar se do të vazhdojë të dokumentojë dhe procedojë çdo rast për të cilin ekzistojnë indicie për shkelje.

Sipas UP-së, parimet mbi të cilat do të vazhdojë të mbrohet pasuria universitare janë ligjshmëria, transparenca, përgjegjësia dhe mbrojtja e interesit publik.

Të ngjashme