“Kërkoi 1,500€ për punësim”, vihet nën pranga shoferi në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Prishtinë | 06 Sht 2026 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet e hetuesisë në Maqedoninë e Veriut e kanë vënë në pranga një person që dyshohet se ka kryer veprën penale “Pranimi i shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari, i cili ka punuar si shofer i një funksionari të lartë qeveritar, në periudhën nga 24 korriku deri më 4 shtator të këtij viti, i ka kërkuar 1.500 euro një qytetari, me qëllim që të shfrytëzonte ndikimin e tij të pretenduar dhe të ndërmjetësonte te zyrtarë në Qytetin e Shkupit, lidhur me punësimin përmes konkursit për pranimin e zjarrfikësve.

Rasti është denoncuar nga qytetari i dëmtuar, pas së cilës Njësia për Luftimin e Korrupsionit pranë Byrosë për Siguri Publike, në koordinim me prokurorin publik kompetent, ka ndërmarrë aktivitete për sigurimin e provave.

“Më 4 shtator 2026, i dyshuari u kap në flagrancë gjatë dorëzimit të 500 eurove, si pjesë e shumës së kërkuar prej 1.500 eurosh, të cilat paraprakisht ishin shënuar”, njoftoi Prokuroria.

Për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë për të ndikuar te dëshmitarët dhe rrezikut të përsëritjes së veprës, gjykatësi i procedurës paraprake e pranoi kërkesën dhe të dyshuarit i caktoi 30 ditë paraburgim.

MPB-ja më herët gjatë ditës njoftoi se, pas një denoncimi nga një qytetar, D.C., i punësuar si shofer në Shërbimin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë së RMV-së, ishte kapur duke pranuar para të shënuara paraprakisht, pas së cilës ishte privuar nga liria.

Të ngjashme