Sheholli deklarohet i pafajshëm, mbrojtja heq dorë nga kundërshtimi i aktakuzës

Prishtinë | 07 Sht 2026 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

Fatmir Sheholli është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për spiunazh dhe shantazh, ndërsa mbrojtja e tij ka hequr dorë nga e drejta për kundërshtimin e aktakuzës, duke kërkuar që rasti të vazhdojë menjëherë në gjykim, raporton Ekonomia Online.

Sheholli, para gjykatës, shkurtimisht deklaroi se nuk ndihet fajtor.

“E ndjej veten të pafajshëm”, tha Sheholli.

Avokati i të akuzuarit, Mentor Neziri, tha se pas konsultimeve me klientin e tij në Burgun e Sigurisë së Lartë, janë pajtuar që në këtë fazë të mos paraqesin kërkesë për hedhjen e aktakuzës.

“Para 4-5 ditësh kam qenë në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe kam vizituar, kemi biseduar edhe sa i përket kundërshtimit të aktakuzës dhe, duke ia shpjeguar se ne kemi të drejtë që të paraqitemi për hedhjen e aktakuzës, i njëjti është pajtuar me mua që në këtë fazë të heqim dorë nga paraqitja për hedhjen e aktakuzës. Duke pasur për bazë kohën e qëndrimit në masën e paraburgimit, pastaj që ka prova të shumta për t’u administruar, ne jemi dakorduar që të tërhiqemi nga e drejta e paraqitjes për hedhjen e aktakuzës. Gjykatës i propozojmë të aprovojë dhe të fillojmë menjëherë me gjykim gjyqësor”, tha avokati.

Rasti ndaj Shehollit ka të bëjë me pretendimet e Prokurorisë për lidhje me shërbimin inteligjent serb, BIA.

Sipas aktakuzës së datës 24 gusht 2026, në dosjen e rastit përfshihen dhjetëra prova materiale dhe personale, përfshirë përgjime telefonike, komunikime të nxjerra nga telefoni i Shehollit, video-incizime, pamje të kamerave të sigurisë, dokumente të sekuestruara, dëshmi të dëshmitarëve dhe raport financiar.

Prokuroria pretendon se Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga BIA, kishte vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të Bojan Dimiqit, të cilin aktakuza e identifikon si drejtor të Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në BIA.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Sheholli kishte mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Në aktakuzë përmendet edhe një dokument “Top Secret2”, fotografi e të cilit, sipas Prokurorisë, është gjetur në telefonin e Shehollit. Në dokument pretendohet se fonde të mbledhura nga “ambasadat islamike” në Beograd do të investoheshin në ndërtimin e xhamive në Kosovë.

Sipas përmbajtjes së dokumentit të përmendur në aktakuzë, qëllimi do të ishte shtrirja e ndikimit të islamit, përçarja e shqiptarëve, nxitja e emigrimit dhe ndryshimi i perceptimit të Perëndimit për Kosovën, për të krijuar rrethana që do t’i shërbenin synimit të Serbisë për rikthimin e Kosovës nën juridiksionin e saj.

Sa i përket dënimit të mundshëm, ai varet nga veprat për të cilat Sheholli eventualisht mund të shpallej fajtor dhe nga mënyra se si gjykata do t’i vlerësojë provat dhe rrethanat e rastit.

Në rastin e veprës penale të spiunazhit, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 124, paragrafi 3, përcakton se kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër ndihmon punën e një shërbimi të tillë, dënohet me jo më pak se pesë vjet burgim.

Ndërsa, për veprën penale të shantazhit, në rrethanat e përcaktuara në paragrafin 2 të dispozitës përkatëse, Kodi Penal parasheh gjobë dhe burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Të ngjashme