Ylli i Real Madridit, Kylian Mbappé, ka ruajtur qëndrimin e tij se preferon Milanin përpara Interit, por thotë se “Nerazzurrët” janë një skuadër që meriton shumë respekt përpara vizitës së tyre në “Bernabéu” në Ligën e Kampionëve të martën mbrëma.
Mbappé ka folur shpesh për admirimin e tij ndaj rivalëve të Interit, Milanit.
Në një intervistë në vitin 2024, reprezentuesi i Francës deklaroi se, nëse do të transferohej në Itali, do të ishte vetëm për të nënshkruar me kuqezinjtë.
Ai gjithashtu ka deklaruar më parë se i ndjek të gjitha ndeshjet e Milanit në Serie A.
Ky është një qëndrim që Mbappé e ruajti edhe gjatë intervistës së dhënë për “Sky”, përpara përballjes së Real Madridit me Interin në Champions të martën mbrëma.
“Unë patjetër që preferoj Milanin, por Interi është një kundërshtar që meriton shumë respekt. Është një skuadër me shumë cilësi”, tha Mbappé.
Mbappé më pas foli për marrëdhënien e tij të ngushtë personale me sulmuesin e Interit, Marcus Thuram, si dhe për respektin që ka për kapitenin Lautaro Martinez.
“Kur pashë shortin, mendimi im i vetëm ishte për Marcus Thuram. Kemi qenë miq prej shumë vitesh, nuk kam menduar shumë për Interin. Është një ndeshje e madhe për të gjithë dhe në fushë nuk ka miq. Lautaro Martinez është një lojtar i madh, por shpresoj që të mos e tregojë këtë nesër. Është bukur të luash kundër sulmuesve që mund ta bëjnë diferencën”, përfundoi ai.
Reali dhe Interi do të përballen nesër në kuadër të xhiros së parë së fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, me fillim nga ora 21:00 në “Bernabeu”.