Policia e Kosovës po vazhdon prej disa orësh hetimet në objektin e ish-Shkollës Teknike në Obiliq, i cili për rreth 27 vjet ishte i uzurpuar. Gjatë ditës së djeshme, inspektorati komunal ka hasur në disa gjetje të pazakonta brenda objektit, përfshirë gropa të mëdha e të thella, si dhe thasë të mbushur me gjësende, raporton Ekonomia Online.
Deri më tani, Policia e Kosovës dhe Prokuroria nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me gjetjet në këtë objekt.
Ndërkohë, zyrtari komunal Sami Ahmeti ka treguar se objekti, pas luftës, u ishte dhënë për shfrytëzim disa familjeve serbe të ardhura në Kosovë si refugjatë.
“Ky objekt iu ka dhënë disa familjeve serbe të ardhura si refugjatë nga Kroacia apo diçka e tillë. Qysh me marrjen e mandatit tonë, ne kemi filluar qysh në janar e kemi filluar procedurën që këtë objekt t’ua kthejmë qytetarëve, t’ia kthejmë shkollës dhe inspekcioni vazhdimisht ka punuar me objektin, për të parë se cilat janë kushtet e objektit për ta shfrytëzuar për shkollë, por në të njëjtën kohë edhe me familjet që kanë qenë këtu, që për informacionin tuaj janë dy familje. Një familje dhe një plakë e vjetër që ka vazhduar të jetojë këtu. Ne u kemi dhënë kohë të mjaftueshme këtyre familjeve që të bëjnë zgjidhje dhe të dalin nga ky objekt”, ka deklaruar Ahmeti.
Sipas tij, komuna kishte nisur procedurat për kthimin e objektit në funksion të qytetarëve dhe shkollës, ndërsa familjeve që jetonin aty u ishte dhënë kohë për të gjetur zgjidhje dhe për t’u larguar nga objekti.
Në vendin e ngjarjes ka arritur edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi.
Hetimet lidhur me gjetjet në objekt janë duke vazhduar, ndërsa pritet që Policia ose Prokuroria të japin më shumë detaje lidhur me rastin.