Urgjencë e madhe, Rutte: Mbështetja për Ukrainën duhet të vazhdojë

Prishtinë | 09 Sht 2026 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka kërkuar mbështetje të vazhdueshme dhe urgjente për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, duke theksuar se vonesat në furnizimin me ndihmë ushtarake “kushtojnë jetë njerëzish”.

Rutte i bëri këto deklarata të martën, më 8 shtator, gjatë pjesëmarrjes në një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, të kryesuar nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Gjatë takimit, ai mirëpriti zotimet e reja për mbështetjen e Ukrainës, veçanërisht për forcimin e aftësive të saj për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse.

“Gjatë vitit të kaluar, aleatët kanë ndarë mbi 10 miliardë dollarë për PURL dhe për Shitjet Ushtarake të Huaja të SHBA-së për Ukrainën”, deklaroi Rutte thuhet në njoftimin e NATO-s.

Sipas tij, në këtë shumë përfshihen edhe 3.5 miliardë dollarë nga Huaja e BE-së për Mbështetjen e Ukrainës.

“Kjo është thelbësore dhe duhet mirëpritur ngrohtësisht. Kjo është një shenjë konkrete e bashkëpunimit BE-NATO në mbështetje të Ukrainës, si dhe një tjetër shembull i rritjes së angazhimit të Evropës”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Rutte u tha vendeve aleate dhe partnere se Ukraina ka nevojë për mbështetje “me urgjencën më të madhe”, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të ketë pasoja të rënda.

“Vonesat kushtojnë jetë njerëzish”, theksoi ai.

Në fokus të deklaratave të Rutte ishte edhe iniciativa PURL e NATO-s, përmes së cilës pajisjet ushtarake amerikane për Ukrainën financohen nga vendet aleate dhe partnerët e NATO-s, transmeton Klankosova.tv.

Sipas Rutte, kjo nismë po vazhdon pa ndërprerje dhe po siguron pajisje të rëndësishme për forcat ukrainase.

“Ky proces është i pandërprerë dhe absolutisht thelbësor për ta ndihmuar Ukrainën të mbrojë qytetet e saj dhe të mbajë vijën e frontit”, tha Rutte.

Takimi i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës u zhvillua në një kohë kur aleatët dhe partnerët e Ukrainës po shqyrtojnë mënyra të reja për të forcuar mbështetjen ushtarake dhe mbrojtjen ajrore të Kievit përballë luftës së vazhdueshme me Rusinë.

Të ngjashme