Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se ekipet kompetente kanë dalë në terren për të inspektuar nga afër zonën ku ka shpërthyer zjarri në Parkun Kombëtar “Sharri”, nën majën e Vrtopit, në një lartësi prej rreth 2 mijë e 500 metrash mbi nivelin e detit.
Sipas Totajt, në terren kanë qenë Drejtori i Emergjencave dhe Sigurisë, Sead Arifi, së bashku me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Njësisë së Zjarrfikësve dhe Shpëtimit.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe të paarritshëm, shërbimet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar me qëllim të parandalimit të përhapjes së zjarrit.
Si masë shtesë, është angazhuar edhe ekipi për vëzhgimin e terrenit me dronë, për të monitoruar situatën dhe për të ndihmuar në menaxhimin e zjarrit.
Totaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura.
“Sjellja e papërgjegjshme rrezikon natyrën, pyjet dhe jetën e pasurinë e banorëve, si dhe është e dënueshme”, ka theksuar ai.