Stresi mërzit fansat me postimin e fundit

Prishtinë | 10 Sht 2026 | 10:35 | Nga Ekonomia Online

Reperi Stresi ka bërë një publikim që ka tërhequr vëmendjen e fansave, duke paralajmëruar se pas publikimit të disa këngëve të tij do të marrë një pauzë nga muzika.

Në një mesazh të gjatë drejtuar ndjekësve, Stresi ka treguar se sonte në orën 19:00 do të publikohen disa këngë që kishin mbetur të bllokuara për shkak të problemeve teknike dhe procedurave kontraktuale me YouTube.

Pas këtyre publikimeve, reperi ka bërë të ditur se do të largohet përkohësisht nga muzika, pasi dëshiron të fokusohet në projekte të tjera profesionale.

“Kjo nuk është lamtumirë. Thjesht po marr pak kohë për të ndërtuar diçka tjetër”, ka shkruar Stresi, duke lënë të kuptohet se rikthimi i tij në muzikë do të vijë në një moment tjetër.

Reperi ka shfrytëzuar gjithashtu rastin për të falënderuar fansat, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tij artistik.

“Kur të kthehem, do të kem akoma më shumë për t’ju thënë”, ka përfunduar ai, duke lënë të hapur derën për një rikthim të fuqishëm në muzikë.

Të ngjashme