“Populli nuk do të rrijë duarkryq”, Mozzik reagon pak ditë para vendimit për katërshen e UÇK-së

Prishtinë | 10 Sht 2026 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Reperi Mozzik, përmes një postimi në Instagram, ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth ish-krerëve të UÇK-së të cilët ndodhen në Hagë, duke ngritur disa pyetje për pasojat që mund të ketë një vendim i pafavorshëm.

Ai shpreh shpresën se katërshja do të kthehet në atdhe, por njëkohësisht pyet se çfarë do të ndodhte nëse rezultati do të ishte i kundërt.

Në reagimin e tij në Instagram, Mozzik ngre shqetësime nëse një skenar i tillë do të ndikonte në historinë e luftës, memorialet dhe bustet e dëshmorëve, njohjet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Drejtësia ndërkombëtare duhet ta ketë të qartë, dhe besoj fuqishëm se edhe ata e dinë, se vendimi duhet të jetë i drejtë dhe i lirë”, ka shkruar ai.

Mes tjerash, artisti thekson se populli i Kosovës nuk do të qëndronte indiferent ndaj asaj që do ta konsideronte padrejtësi, duke e mbyllur reagimin me fjalët: “Në të kundërtën, ky popull nuk do të rrijë duarkryq përballë asaj që e konsideron padrejtësi. Kjo është e pashmangshme”.

Të ngjashme