Policia në Shtime reagon me shpejtësi për shuarjen e zjarrit në Belinc

Prishtinë | 10 Sht 2026 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Shtime kanë reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm pas raportimit për një zjarr në zonën malore të fshatit Belinc, ku flakët kishin përfshirë një pjesë të kodrës dhe paraqisnin rrezik për përhapje drejt shtëpive dhe pronave të banorëve.

Sipas Policisë, pas marrjes së informatës për zjarrin, njësitë policore kanë dalë menjëherë në terren, duke u angazhuar në koordinim me ekipet e zjarrfikësve për menaxhimin e situatës dhe sigurimin e zonës.

“Zyrtarët policorë kanë treguar profesionalizëm, përkushtim dhe reagim të shpejtë gjatë intervenimit në këtë incident”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Gjatë intervenimit, policia është angazhuar për sigurimin e zonës, mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës, si dhe për krijimin e kushteve të nevojshme për punën e njësive të zjarrfikësve.

“Reagimi i shpejtë dhe koordinimi ndërinstitucional kanë ndihmuar në përballimin e situatës dhe shuarjen e zjarrit, duke parandaluar përhapjen e mëtejme të tij drejt zonave të banuara”, thuhet më tej në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar që të jetë pranë qytetarëve në çdo situatë emergjente dhe të veprojë me përgjegjësi e profesionalizëm në mbrojtje të jetës dhe pronës.

“Policia mbetet e përkushtuar që, në çdo situatë emergjente, të jetë pranë qytetarëve dhe të veprojë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim, në funksion të sigurisë dhe mbrojtjes së jetës dhe pronës”, thotë komunikata.

Të ngjashme