Tre kompani garojnë në Ankandin e Parë të Erës, synohen deri në 100 MW kapacitete të reja

Prishtinë | 10 Sht 2026 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur fazën e dorëzimit të ofertave në kuadër të Kërkesës për Propozime për Ankandin e Parë të Erës, përmes të cilit synohet zhvillimi i kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme prej 50 deri në 100 megavatësh (MW).

Në këtë proces kanë dorëzuar ofertat e tyre tre ofertues të kualifikuar, përkatësisht konsorciumi gjermano-kosovar “Notus Energy GMBH” dhe “Stublla Energy LLC”, kompania franceze “Akuo Energy SAS”, si dhe kompania turke “GÜRİŞ Inşaat ve Mühendislik AS”.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, përfundimi i fazës së ofertimit shënon kalimin në një etapë të rëndësishme të procesit konkurrues për zhvillimin e projekteve të reja të energjisë nga era.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se me pranimin e ofertave është përmbyllur një fazë e rëndësishme e procesit të parë konkurrues për kapacitete të energjisë nga era.

“Në javët në vijim do të zhvillohet vlerësimi i ofertave për të verifikuar përmbushjen e të gjitha kërkesave ligjore, administrative dhe teknike të përcaktuara në dokumentacionin e projektit”, deklaroi Rizvanolli.

Ajo bëri të ditur se vetëm ofertat që i plotësojnë kriteret e përcaktuara do të kalojnë në fazën e vlerësimit financiar, ku fitues do të shpallet ofertuesi që ofron çmimin më të ulët.

“Vetëm ofertat që përmbushin këto standarde do të avancojnë në fazën e vlerësimit financiar, ku fitues do të shpallet ofertuesi që ka ofruar çmimin më të ulët”, tha ministrja.

Sipas Rizvanollit, kjo mënyrë e zhvillimit të ankandit synon të garantojë konkurrencë të drejtë dhe transparencë gjatë gjithë procesit.

“Kjo qasje siguron njëkohësisht cilësi, transparencë, konkurrencë të ndershme dhe vlerën më të mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, theksoi ajo.

Përmes Ankandit të Erës, Kosova synon të mobilizojë investime të reja private në sektorin energjetik, të rrisë kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike dhe të forcojë sigurinë e furnizimit.

Ankandi është pjesë e politikave për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme, në kuadër të tranzicionit energjetik të Kosovës.

Procesi është mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC) në cilësinë e këshilltarit të transaksionit, me mbështetjen e Qeverisë së Gjermanisë, si dhe nga Qeveria e Luksemburgut përmes LuxDev.

Ministria e Ekonomisë pritet të vazhdojë me vlerësimin e ofertave të dorëzuara, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në dokumentacionin e ankandit, duke respektuar parimet e konkurrencës, transparencës dhe trajtimit të barabartë të të gjithë ofertuesve.

Të ngjashme