Shefi i Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Hubert Perr, ka theksuar rëndësinë e investimeve të qëndrueshme në infrastrukturë në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Perr mori pjesë në forumin “Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage”, të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë, ku tha se infrastruktura duhet të jetë e qasshme, e sigurt, e qëndrueshme dhe e menaxhuar siç duhet, në mënyrë që t’u shërbejë qytetarëve edhe pas përfundimit të Lojërave.
“Lojërat do të zgjasin disa javë, por ajo që Kosova ndërton për to mund ta formësojë Kosovën për dekada”, tha Perr.
Sipas tij, “Prishtina 2030” ka potencial të rrisë profilin ndërkombëtar të Kosovës, të krijojë mundësi të reja ekonomike dhe të përshpejtojë investimet në infrastrukturë moderne e të qëndrueshme.
BE-ja, sipas tij, mund të kontribuojë përmes ekspertizës dhe investimeve, ndërsa koordinimi ndërinstitucional dhe partneritetet e fuqishme do të jenë thelbësore për të maksimizuar përfitimet afatgjata për Kosovën dhe qytetarët e saj.