Deputeti i vetëm i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE) në Kuvendin e Kosovës, Veton Berisha, ka deklaruar se është i gatshëm të japë mbështetjen dhe nënshkrimin e tij për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Berisha ka thënë se seanca do të duhej të diskutonte situatën aktuale në vend pas vendimit të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Ai ka bërë thirrje për unifikim politik dhe institucional, duke theksuar se në këtë moment Kosova ka nevojë për një qëndrim të përbashkët.
Për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme nevojiten të paktën 40 nënshkrime të deputetëve. Berisha u ka bërë thirrje kolegëve të tij që ta mbështesin këtë iniciativë, në mënyrë që Kuvendi të diskutojë për situatën dhe hapat e mëtejmë.
Sipas tij, pas seancës mund të ndërtohet një rezolutë e përbashkët, përmes së cilës do të shprehej qëndrimi dhe mbështetja për procesin e mëtejshëm gjyqësor, përfshirë pritshmërinë që Gjykata e Apelit ta rishqyrtojë vendimin e 16 shtatorit.
Berisha ka thënë gjithashtu se Kuvendi mund të shqyrtojë edhe veprime të tjera kushtetuese dhe ligjore që janë në kompetencën e institucioneve të Kosovës.
“Unë jam i gatshëm ta jap nënshkrimin tim. Jo në emrin tim!”, ka shkruar Berisha.