Plakja e popullsisë dhe nevoja për krijimin e një sistemi shëndetësor e social që i përgjigjet këtij ndryshimi demografik kanë qenë në fokus të konferencës “Plakja e shëndetshme – shkenca, kujdesi dhe inovacioni social”, raporton Ekonomia Online.
Konferenca mblodhi ekspertë, studiues dhe profesionistë të fushave të shëndetësisë dhe politikave sociale për të diskutuar qasjet shkencore, praktikat e kujdesit dhe inovacionet sociale që mund të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së personave të moshuar dhe në përgatitjen e sistemeve për ndryshimet demografike që po e prekin Kosovën dhe vendet e tjera.
Në konferencë u diskutua për sfidat me të cilat përballet Kosova në raport me plakjen e popullsisë, rëndësinë e parandalimit dhe kujdesit shëndetësor, si dhe nevojën për politika më gjithëpërfshirëse që garantojnë shëndet, dinjitet dhe pavarësi për personat e moshuar.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale, Agron Gashi, tha se plakja e popullsisë në Kosovë është një proces që tashmë është duke u reflektuar në të dhënat demografike dhe kërkon veprime konkrete nga institucionet dhe shoqëria.
“Tema që kemi zgjedhur për këtë vit nuk është vetëm një temë shkencore. Ajo është një çështje gjithnjë e më e rëndësishme për të ardhmen e sistemit tonë shëndetësor, social dhe për shoqërinë në tërësi. Kosova, siç e dini, vazhdon të ketë një popullsi të re, më të re se në vendet evropiane. Megjithatë, gjendja po ndryshon. Në vitin 2011, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kanë qenë 6.7 për qind e popullsisë, apo rreth 116 mijë persona, mbi moshën 65-vjeçare. Në vitin 2024 ky numër është rritur në 11 për qind, apo rreth 170 mijë persona. Me fjalë të tjera, një në nëntë persona në Kosovë është 65 vjeç ose më shumë”, tha Gashi.
Ai theksoi se, sipas projeksioneve të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ndryshimi demografik pritet të jetë edhe më i theksuar në dekadat e ardhshme.
“Sipas parashikimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për periudhën 2025–2060, pritet që rreth 31 për qind e popullsisë, në një popullsi prej rreth një milion banorësh, të jenë mbi moshën 65-vjeçare. Kjo do të nënkuptonte rreth 350 mijë persona mbi 65 vjeç. Këto të dhëna tregojnë një mesazh të qartë: koha për të vepruar dhe për të avokuar është tani”, u shpreh ai.
Gashi tha se koncepti i pleqërisë së shëndetshme nuk duhet të kufizohet vetëm te zgjatja e jetëgjatësisë, por duhet të përfshijë funksionalitetin, pavarësinë dhe cilësinë e jetës.
“Kur flasim për pleqëri të shëndetshme, nuk flasim vetëm për të jetuar më gjatë. Synimi është që këtyre viteve t’u shtojmë funksionalitet, shëndet, pavarësi, mirëqenie dhe cilësi. Dhe shumë e rëndësishme është të përcjellim mesazhin se pleqëria e shëndetshme nuk fillon në këtë moshë. Investimi duhet të bëhet shumë më herët, përmes parandalimit, aktivitetit fizik, mosstimulimit të duhanit dhe, nëse kemi ndonjë sëmundje, përmes kontrolleve dhe menaxhimit të duhur të saj”, tha Gashi.
Sipas tij, përgjegjësia për një pleqëri të shëndetshme nuk mund t’i lihet vetëm individit, por kërkon angazhimin e sistemit shëndetësor, atij social, familjes, komunitetit dhe institucioneve.
“Përgjegjësia nuk varet vetëm prej një individi. Pleqëria e shëndetshme varet edhe nga sistemi në përgjithësi. Këtu duhet të sjellim edhe sektorët e tjerë. Varet nga sistemi shëndetësor, social, familja, komuniteti dhe mjedisi në të cilin jetojmë. Thjesht, varet nga të gjithë ne. Prandaj, na duhet një sistem i fuqishëm, na duhet një kujdes parësor shëndetësor i integruar, me përfshirjen e shumë sektorëve të tjerë dhe me personel të trajnuar e të përgatitur për t’iu përgjigjur nevojave të një popullate që po plaket”, tha ai.
Gashi shtoi se suksesi i konferencës nuk duhet të matet vetëm me numrin e pjesëmarrësve apo prezantimeve, por me ndikimin që diskutimet dhe njohuritë e prezantuara mund të kenë në politikëbërje.
“Ne nuk e konsiderojmë ta masim suksesin e kësaj konference vetëm me numrin e pjesëmarrësve apo të prezantimeve. Ne do ta masim atë se sa kemi arritur përmes kësaj të avokojmë, të përcjellim këtë dituri, këtë njohuri dhe këto praktika te politikëbërësit dhe vendimmarrësit, për të ndikuar në politikëbërje më të mirë, por edhe në shërbime më të mira për qytetarët”, deklaroi Gashi.
Ai tha se pas statistikave për plakjen e popullsisë qëndrojnë njerëz dhe familje, duke e cilësuar plakjen si një çështje thellësisht njerëzore.
“Sepse në fund të fundit, pas të gjitha këtyre statistikave ekzistojnë jetët e njerëzve dhe plakja është një çështje thjesht njerëzore. Kur flasim për personat e moshuar, flasim për të afërmit tanë, për prindërit tanë, për gjyshërit tanë, për më të dashurit tanë, por në fund të fundit flasim edhe për veten. Prandaj, këtë respekt që ne gjithmonë e kemi kultivuar ndaj më të moshuarve, dashurinë dhe kujdesin, duhet t’ia kthejmë thjesht me veprime konkrete”, tha ai.
Në konferencë foli edhe prorektorja e Kolegjit Heimerer, prof. dr. Naime Brajshori, e cila theksoi rëndësinë e hulumtimit shkencor në zhvillimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale.
“Si institucion, i kushtojmë rëndësi të veçantë hulumtimeve shkencore. Hulumtimet shkencore janë ndër shtyllat e ofrimit të shërbimeve në ekosistemin Heimerer. Është pikërisht hulumtimi shkencor që përfaqësohet edhe me një prorektorat dhe me njerëz të shquar të shkencave shëndetësore. Kjo konferencë përfaqëson një hapësirë të rëndësishme për dialog shkencor dhe profesional, duke bashkuar ekspertë, studiues dhe profesionistë nga Kosova dhe nga vende të tjera”, tha Brajshori.
Ajo theksoi se tema e plakjes së shëndetshme kërkon bashkëpunim ndërinstitucional dhe nuk mund të trajtohet vetëm nga institucionet akademike.
“Tema e këtij viti, ‘Plakja e shëndetshme – shkenca, kujdesi dhe inovacioni social’, na orienton drejt një çështjeje që kërkon bashkëpunim dhe vëmendje të të gjithëve. Kjo përgjegjësi nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve akademike, por edhe e të gjitha institucioneve shëndetësore dhe sociale, si dhe e shoqërisë në përgjithësi”, u shpreh ajo.
Ndërsa shefja e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, Isme Humolli, tha se plakja e shëndetshme është një prej prioriteteve të OBSH-së dhe se kjo çështje zë vend të rëndësishëm edhe në planin e punës për vitet 2026–2030.
“Do të paraqes qëndrimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë sa i përket pleqërisë së shëndetshme, e cila është një ndër prioritetet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe zë vend kyç në planin e punës për vitet 2026–2030. Organizata Botërore e Shëndetësisë mbështet parimin se cilido person, në çdo vend të botës, duhet të ketë mundësinë që të ketë një jetë të shëndetshme”, tha Humolli.
Ajo theksoi rëndësinë e mjedisit në të cilin jetojnë njerëzit dhe ndikimin që ai ka në shëndet.
“Organizata Botërore e Shëndetësisë e sheh njeriun si pjesë të një ndërveprimi të jashtëzakonshëm me mjedisin, i cili është shumë i rëndësishëm. Mjedisi në të cilin jetojmë, në njërën anë, e favorizon mundësinë për të pasur një jetë të shëndetshme dhe të gjatë, por në anën tjetër, njeriu, sidomos ai i ditëve të sotme, po përballet me sfida, me patogjenë dhe agjentë të ndryshëm të cilët po e dëmtojnë shëndetin. Dhe kjo fillon që nga fazat e hershme të jetës”, deklaroi Humolli.
Sipas saj, plakja e popullsisë është një trend global që kërkon riorganizimin e sistemeve shëndetësore dhe sociale.
“Të dhënat e fundit tregojnë se numri i personave të moshës 60 vjeç e tutje është në rritje e sipër dhe ka një dinamizëm jashtëzakonisht të lartë. Në vitin 2019, numri i njerëzve të moshës 60 vjeç e lart ishte një miliard. Ky numër është duke u rritur dhe në vitin 2030 pritet të ketë 1.4 miliardë persona të moshës 60 vjeç e mbi, ndërsa në vitin 2050 pritet të jenë 2.1 miliardë. Kjo rritje po ndodh me një ritëm të paprecedentë dhe parashikohet të vazhdojë në dekadat e ardhshme, veçanërisht në vendet në zhvillim, ku bën pjesë edhe Kosova”, tha ajo.
Humolli tha se ndryshimi demografik kërkon riorganizim të kujdesit shëndetësor dhe social, duke përfshirë edhe rritjen e fuqisë punëtore në këta sektorë.
“Ky ndryshim historik në popullsinë globale kërkon riorganizim të të gjitha segmenteve të shoqërisë, përfshirë këtu kujdesin shëndetësor dhe kujdesin shoqëror/social, si dy komponentë të cilët Organizata Botërore e Shëndetësisë i sheh të pandarë dhe që shkojnë njëri me tjetrin. Thelbi qëndron në ta bërë botën më miqësore për personat në moshë të shtyrë, të cilëve shumë shpejt do t’u takojmë edhe ne në atë rrugë”, tha Humolli.
Ajo shtoi se plakja nuk duhet parë vetëm si sfidë, por edhe si mundësi për krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse.
“Plakja sjell sfida, por edhe mundësi që të kemi një jetë me cilësi të lartë. Ajo do të rrisë kërkesat për kujdes shëndetësor parësor dhe kujdes shëndetësor afatgjatë. Do të kërkojë rritje të fuqisë punëtore, por njëkohësisht edhe cilësi të ofrimit të shërbimeve shëndetësore. Pleqëria do të intensifikojë nevojën për të bërë mjedise fizike dhe sociale më miqësore për moshën e shtyrë”, deklaroi ajo.
Humolli vuri theks të veçantë edhe te luftimi i diskriminimit në bazë të moshës dhe krijimi i komuniteteve miqësore për të moshuarit.
“Do të kërkojë që të gjithë ne, në çdo sektor, të luftojmë diskriminimin në bazë të moshës. Ky është një element dhe komponent të cilit Organizata Botërore e Shëndetësisë i vë një fokus të jashtëzakonshëm. Organizata Botërore e Shëndetësisë bashkëpunon me të gjitha shtetet për të zhvilluar dhe krijuar qytete dhe komunitete miqësore ndaj moshës së shtyrë, në kuadër të Dekadës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Pleqërinë e Shëndetshme, por njëkohësisht edhe në përputhje me strategjinë dhe planin global të veprimit për pleqërinë dhe shëndetin”, tha Humolli.



