Maqedonci: Siguria e Evropës Qendrore dhe e Ballkanit Perëndimor është e ndërlidhur

Prishtinë | 22 Sht 2026 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se siguria e Evropës Qendrore dhe e Ballkanit Perëndimor është e ndërlidhur.

Ai në takimin ministror të Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (CEDC) me partnerët e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Brdo pranë Kranjit në Slloveni tha se orejentimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Në fjalën time theksova se siguria e Evropës Qendrore dhe e Ballkanit Perëndimor është e ndërlidhur. Prezantova përparimin e Kosovës në ndërtimin e një force profesionale dhe të ndërveprueshme, si dhe prioritetet tona për përmbylljen e tranzicionit të FSK-së, forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.Propozova hapa konkretë për bashkëpunim rajonal: lëvizje më të lehtë të forcave gjatë krizave, koordinim në reagimin ndaj fatkeqësive dhe bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes. Gjithashtu propozova krijimin e një grupi pune për ta çuar përpara nismën e Kolegjit të Mbrojtjes të Ballkanit Perëndimor, ku udhëheqësit e ardhshëm ushtarakë dhe civilë do të mund të mësojnë e të ndërtojnë besim së bashku”, ka shkruar Maqedonci.

Ai ka thënë se në takim është dakorduar për një deklaratë të përbashkët që riafirmon përkushtimin ndaj sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit praktik në mbrojtje ndërmjet Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor.

“Deklarata thekson nevojën për gatishmëri më të madhe, ndërveprueshmëri dhe përmirësim të lëvizshmërisë ushtarake në rajon. Kosova është e gatshme të kontribuojë si partnere e besueshme për sigurinë e rajonit dhe të Evropës”, ka bërë të ditur ai.

Të ngjashme