28-vjetori i rënies së Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Latifi: Përulemi me nderim të thellë para veprës së tyre

Prishtinë | 22 Sht 2026 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka përkujtuar në 28-vjetorin e rënies Fehmi e Xhevë Ladrovcin.

Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Latifi ka shkruar se Fehmiu, Xheva, Fatime Hetemi, Shefqet Zeka, Behxhet Karaxha, Milazim Karaxha e Hamit Lladrovci, ranë duke luftuar fytafyt me ushtrinë jugosllave, duke e dëshmuar me jetën e tyre se liria nuk falet, por fitohet me sakrificë.

“22 shtatori i vitit 1998, është dita ku u përmbyll me lavdi një faqe e rrugëtimit të gjatë për lirinë e atdheut të veprimtarëve të paepur si Fehmiu dhe Xheva, dita kur dhimbja dhe krenaria rrëfejnë për ne e ndër breza”, ka shkruar Latifi.

Postimi i plotë:

Sot, në 28-vjetorin e rënies heroike të Fehmi Lladrovcit e Xhevë Krasniqit-Lladrovcit, ishim në Gllanasellë për t’i nderuar ata dhe bashkëluftëtarët e tyre të rënë për lirinë e Kosovës.

Fehmiu, Xheva, Fatime Hetemi, Shefqet Zeka, Behxhet Karaxha, Milazim Karaxha e Hamit Lladrovci, ranë duke luftuar fytafyt me ushtrinë jugosllave, duke e dëshmuar me jetën e tyre se liria nuk falet, por fitohet me sakrificë.

22 shtatori i vitit 1998, është dita ku u përmbyll me lavdi një faqe e rrugëtimit të gjatë për lirinë e atdheut të veprimtarëve të paepur si Fehmiu dhe Xheva, dita kur dhimbja dhe krenaria rrëfejnë për ne e ndër breza, se është i pavdekshëm ai popull që lind e rrit luftëtarë që e bëjnë vdekjen si me le, në betejë; është dita ku humbëm viganë që me dëshirë e japin jetën, siç e thotë hapur dhe sinqerisht vetë Fehmiu, kur u pyet nga BBC, që në këtë truall të vijë liria, që edhe gurët t’i gëzohen lirisë, kryevepra që e gëzojnë sot e do ta gëzojnë për jetë e mot edhe brezat që vijnë pas nesh. Dhe, ashtu ndodhi me Fehmiun e luftëtar të mëdhenj si Ai.

Përulemi me nderim të thellë para veprës së tyre! Gjaku i dëshmorëve është themeli i lirisë sonë dhe kujtimi për ta do të jetojë brez pas brezi!

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të lirisë!  

Të ngjashme