Kurti takohet me Kaja Kallas: Radojçiqi duhet të përballet me drejtësinë kosovare

Prishtinë | 22 Sht 2026 | 21:29 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në New York është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Kurti ka thënë se në takim kanë diskutuar për trevjetorin e agresionit të Serbisë dhe sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ai ka kërkuar që Milan Radoiçiq dhe anëtarët e tjerë të grupit të përballen me drejtësinë në Kosovë.

Sipas Kurtit, në takim është diskutuar edhe aktgjykimi i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të cilin ai ka shprehur shqetësim të thellë, duke e cilësuar qasjen e gjykatës si monoetnike dhe vendimin e dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së si të gabuara dhe të padrejta.

Ai ka theksuar se procesi ligjor nuk ka përfunduar dhe se Kosova do të angazhohet për korrigjimin e vendimit në apel.

Kurti gjithashtu i ka kërkuar BE-së mbështetje aktive për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar më 15 dhjetor 2022, si dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Të ngjashme