Takimi Kurti-Kallas, Behrami: Pas vendimit në Hagë, tash presioni do të jetë shumë i madh

Prishtinë | 23 Sht 2026 | 09:53 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar lidhur me takimet ndaras që shefja e BE-së, Kaja Kallas ka zhvilluar me kreun e ekzekutivit kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Behrami ka thënë se tash pas aktgjykimit dënues në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, presioni për Kosovën do të jetë më i madh.

“Kaja Kallas, shefja e Dialogut Kosovë–Serbi është njëkohësisht shefja e Gjykatës Speciale. Dje, në New York, takoi Kurtin dhe Vuçiqin dhe tha se është urgjente zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Dënimin e krerëve të UÇK-së, BE-ja e sheh natyrisht si favor për Vuçiqin dhe, fatkeqësisht, edhe për Kurtin. Tani presioni do të jetë shumë i madh mbi ta.”, ka shkruar Behrami.

Ai ka thënë se kjo është një prej shumë arsyeve pse sipas tij duhet të ndryshohet Ligji për Dhomat e Specializuara.

“Ta rikthejmë ligjshmërinë dhe Gjykatën në Kosovë. Mos ta lëmë më në duart e Kallasit, e cila mund ta shantazhojë Kosovën në dialog!”, ka thënë ai.

Të ngjashme