Libri përballë teknologjisë, nis edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë

Prishtinë | 23 Sht 2026 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë ka nisur në Prishtinë, duke mbledhur për pesë ditë fëmijë, prindër, autorë dhe dashamirës të librit në një program të pasur me aktivitete kulturore, edukative dhe artistike, raporton Ekonomia Online.

Në edicionin e katërt, organizatorët kanë vënë theksin te rëndësia e leximit në një kohë kur teknologjia dhe inteligjenca artificiale po zënë gjithnjë e më shumë vend në jetën e përditshme të fëmijëve.

Drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA, Agon Ahmeti tha se në një kohë kur teknologjia dhe inteligjenca artificiale po bëhen pjesë e përditshmërisë, libri nuk duhet të lihet pas dore.

“Unë po besoj që krejt ju jeni duke i përdur telefonat, siç po përdor edhe unë, teknologjinë, inteligjencën artificiale… edhe shumë mirë po bëni që po e përdorni, sepse inteligjenca artificiale na mundëson me zbuluar botën. Ama, ka diçka shumë të rëndësishme që s’bën me harru… Libri nuk bën me u harru. A e dini pse sepse librat na mundësojnë me bërë pyetje të mira, na e zhvillojmë mendjen për me bërë pyetje të mira. Në qoftë se nuk lexojnë, na nuk dimë me bërë pyetje të mira, e kur nuk dimë me bërë pyetje të mira, inteligjenca artificiale nuk na jep përgjigje të mira. A e kuptuat? E para që na ka mundësu sot me festuar është Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ju falënderoj shumë të gjithë ushtarët e Kosovës ” U shpreh Ahmeti.

Ndërkaq, Naime Beqiraj, drejtoreshë e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, tha se gjatë dy viteve të fundit biblioteka ka krijuar klube të leximit, ndërsa bëri të ditur se për fëmijët do të ketë edhe mundësi për regjistrim falas.

“Ka dy vite që ne në bibliotekë kemi krijuar klubet e leximit që ju udhëheq mësuesja Fikrije, e do të krijojmë edhe të tjerat. Dy herë në vit, në ditë të veçanta si kjo kem por nesër kemi regjistrim falas. Kështu që ejani me shokë, me shoqe prej orës 10:00 deri në orën 16:00, të gjithë kemi regjistrim falas për një vit! Dhe kur ta mbushni një vit, ejani përsëri, kemi regjistrim falas. Ne kemi vizituar shkollat, edhe shkollat e parashkollorët kanë ardhur te ne. Por dëshirojmë që ju dhe moshatarët tuaj ti kemi më të pranishëm në bibliotekë, që raftet tona të stërmbushen e të zbrazen nga leximet tuaja. Ne kemi biblioteka në disa lagje dhe në disa fshatra, jo vetëm në bibliotekën e madhe në Dardani. Tash së fundi, edhe në Pallatin e Rinisë, për moshat më të vogla, përplot ngjyra e libra në gjuhë të ndryshme kemi Bibliotekën e Fëmijëve. Në secilën degë të bibliotekës  qoftë në lagje, qoftë në qendër, qoftë në Bibliotekën e Fëmijëve në Pallat” tha ajo.

Kurse Vesa Avdiu, redaktore në shtëpinë botuese “Albas”, foli për punën që qëndron pas përgatitjes së një libri dhe rëndësinë e momentit kur ai arrin te lexuesit e vegjël.

“Pra, ky është një nga ato momentet kur librat dalin nga raftet dhe vijnë të takohen me ju.

Sepse një libër bëhet vërtetë i gjallë në momentin kur ju e hapni, e lexoni dhe e bëni atë pjesë të botës suaj. Ai mund të fillojë me një pyetje, me një personazh, me një ngjarje që ju bën të qeshni, të habiteni apo ndoshta edhe të mërziteni pak. Dhe pikërisht këto rrëfime, reale dhe imagjinare, me të cilat mishërohet lexuesi sapo të mësojë të lexojë, bëhen arsyeja pse një fëmijë fillon ta shohë botën ndryshe, ta shohë atë përtej kornizave. Sot po e përmend me shkas librin për fëmijë i cili ishte ekskluziviteti i Albasit në panairin e librit në qershor dhe është edhe ekskluziviteti i këtij panairi. Librin “Unë jam Majlinda Kelmendi”. Aty rrëfehet historia e një vajze e cila është lindur dhe është rritur në Kosovë ashtu sikurse ju. E cila dashurinë për sportin e ktheu në një ëndërr dhe e realizoi përballë përkundër sfidave nga të cilat ajo kaloi. Pra, përveç guximit për të ëndërruar, ajo pati edhe kurajën për të mos u dorëzuar asnjëherë. Dhe pikërisht këtë dua t’jua them edhe sot juve, fëmijë të dashur. Mos keni frikën të keni ëndrra. Lexoni pyetni, zbuloni, provoni, gaboni dhe provoni përsëri. Sepse nuk e dini kurrë se cili libër mund t’ju japë një ide të re, cili personazh mund t’ju frymëzojë apo cila histori mund të bëjë t’ju thoni edhe unë dua t’i jetësoj dëshirat e mia. Si redaktore e di mirë se pas çdo libri që arrinte fëmijët ka shumë punë”, tha ai.

Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë do të mbahet nga 23 deri më 27 shtator në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Të ngjashme