Rama në New York: Kosova nuk do t’i harrojë ata që qëndruan me ne kur liria ishte ende ëndërr

Prishtinë | 26 Sht 2026 | 20:14 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë në Gala Mbrëmjen e Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në New York, ku ka shprehur mirënjohjen e Prishtinës dhe Kosovës për mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Rama ka thënë se për të ishte nder i veçantë të fliste në këtë ngjarje, duke vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan.

“Ishte nder i veçantë të flas në Gala Mbrëmjen e Këshillit për Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane në New York dhe, mbi të gjitha, të shpreh mirënjohjen e Prishtinës dhe të Kosovës për mërgatën tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Rama.

Ai ka veçuar edhe dy personalitetet e nderuara gjatë mbrëmjes, gjeneralin amerikan Wesley K. Clark dhe Bruno Selimajn.

“Kjo mbrëmje kishte simbolikë të veçantë sepse nderoi Gjeneralin Wesley K. Clark me çmimin ‘Kalorësi i Skënderbeut’, për lidershipin dhe kontributin e tij historik në një prej kapitujve më vendimtarë të historisë së Kosovës, ndërsa Bruno Selimaj u nderua me çmimin ‘Nënë Tereza’, për dekadat e përkushtimit ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan”, ka deklaruar ai.

Rama ka shprehur mirënjohje edhe për Këshillin për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane dhe drejtuesit e tij për organizimin e mbrëmjes dhe punën në fuqizimin e zërit të komunitetit shqiptaro-amerikan.

“Mirënjohje për Albanian-American Relations Council dhe drejtuesve Martin Vulaj, Eli Rusi, Faton Marke, Burim Rexhaj, Roland Nezaj, Agim Jusufi dhe Vehbi Bajrami për organizimin dhe, mbi të gjitha, për punën e vazhdueshme në fuqizimin e zërit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Rama.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve në Kosovë dhe atyre në SHBA ka pasur rëndësi në historinë e vendit.

“Historia e Kosovës dëshmon se kur shqiptarët në atdhe dhe në Amerikë kanë vepruar së bashku, zëri ynë është dëgjuar më fuqishëm në botë”, ka thënë Rama.

Sipas tij, ky bashkëpunim duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke u fokusuar në forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara.

“Sot, detyra jonë është që këtë kapital historik të miqësisë me Shtetet e Bashkuara ta kthejmë në partneritet edhe më të fuqishëm për të ardhmen për paqen, demokracinë, zhvillimin dhe gjeneratat që vijnë”, ka deklaruar Rama.

Ai ka thënë se Kosova nuk do ta harrojë mbështetjen e atyre që qëndruan pranë saj gjatë periudhave më të vështira.

“Kosova nuk do t’i harrojë kurrë ata që qëndruan me ne kur liria jonë ishte ende një ëndërr”, shtoi Rama.

Të ngjashme