PDK kërkon votimin e Ligjit për Specialen në lexim të dytë në orën 17:30

Prishtinë | 05 Tet 2026 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka propozuar shmangien nga afatet e përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raporton Ekonomia Online.

Tahiri, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka propozuar që amendamentet të mund t’i adresohen Komisionit Funksional për Legjislacion deri në orën 14:30, ndërsa Komisioni ta shqyrtojë projektligjin deri në orën 15:30.

“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të bëhet në seancën plenare sot, më 5 tetor 2026, në orën 17:30”, tha ai.

Tahiri ka thënë se protesta para Kuvendit tregon, sipas tij, ndjeshmërinë e qytetarëve për këtë çështje.

“Me plot të drejtë, ndjeshmëria dhe protestuesit në këtë moment, qyteti i Prishtinës dhe Kuvendi është i rrethuar me shqiptarë që kanë ndjeshmëri për këtë temë dhe këtë çështje. Andaj, ne nuk duhet të sillemi dhe të veprojmë sikur nuk po ndodh asgjë”, tha deputeti në foltoren e Kuvendit.

Ai ka deklaruar se UÇK-ja, sipas tij, qëndron mbi dallimet partiake.

“UÇK-ja është mbi secilën parti politike dhe është e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë”.

Të ngjashme