Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në konferencë për media tha se nuk ka ndonjë problem me emrin e Bekim Sejdiut si kandidat për president, mirëpo tha se ajo ishte marrëveshje e Lëvizjes Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Nuk është marrëveshje me PDK-në, është marrëveshje me një subjekt tjetër politik, por është marrëveshje me LDK-në. Dhe i patë lajmet, që veç është hajt të flasim, të shesim mjegull. As nuk kam vërejtje personale, e as politike në raport me Sejdiun. Po, është marrëveshje jashtë tavoline me PDK-në. Nëse keni marrëveshje me LDK-në, bëjeni. Po t’i kërkoj 10 deputetë, 11 atëherë; edhe unë po t’i kërkoj ty 29. Po deputetët sillni në sallë dhe qyshdo le të votojnë. Nëse doni ta bëni ligjin, sillni 29 deputetët. Nëse duan, le të votojnë pro, kundër apo të abstenojnë, qysh të duan. 37 ditë e ka shkelur Kushtetutën për moskonstituimin e Kuvendit. Më 21 shtator ne e kemi sjellë ligjin në Kuvend dhe sot, në orët e fundit, nuk mundesh me imponu marrëveshjen. Nuk janë çështje të ndërlidhura. Ne po kërkojmë me e bërë ligjin”, tha ai.
