Policia e Kosovës ka njoftuar për mbarëvajtjen e protestës së zhvilluar të martën në Prishtinë, e cila u mbajt në shenjë pakënaqësie ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Sipas Policisë, protesta ka nisur në orët e paradites pranë objekteve shtetërore dhe fillimisht ka qenë e qetë.
“Policia e Kosovës, në përputhje me mandatin dhe autorizimet ligjore, ka respektuar dhe garantuar të drejtën e qytetarëve për tubim dhe shprehje të lirë të pakënaqësive përmes protestës së qetë dhe demokratike”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e qytetarëve dhe objekteve private e publike.
Fillimisht, protestuesit kanë mbajtur fjalime, ndërsa rreth orës 15:00 janë vendosur tenda në sheshin “Ibrahim Rugova”, pranë Kuvendit të Kosovës.
Në orët e mbrëmjes, protestuesit janë zhvendosur në sheshin “Skënderbeu”, ku kanë vazhduar protestën.
Sipas Policisë, gjatë protestës ka pasur raste të hedhjes së mjeteve piroteknike dhe fishekzjarreve.
“Gjatë protestimit, një personi i cili gjendej në masë, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, të cilin zyrtarët policorë janë futur në masë për t’i ofruar ndihmë mjekësore”, thuhet në komunikatë.
Policia ka bërë të ditur se personi është nxjerrë nga turma në bashkëpunim me qytetarë dhe është dërguar brenda kordonit të sigurisë, ku ekipet mjekësore i kanë dhënë ndihmën e parë.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe u ka bërë thirrje protestuesve që të vazhdojnë protestën në mënyrë të qetë dhe demokratike.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e mandatit të saj ligjor dhe po monitoron situatën e zhvillimet në terren”, thuhet në komunikatë.