Drejtori i zhvillimit të talentëve te Bayern Munich, Jochen Sauer, ka folur për problemin e talenteve që mund të zgjedhin të përfaqësojnë kombëtare të tjera, duke përmendur edhe yllin kosovar të klubit bavarez, Erblin Osmanin.
Në një intervistë për “GOAL”, Sauer ka diskutuar për zhvillimin e futbollistëve të rinj në Gjermani dhe sfidat me të cilat përballet Federata Gjermane e Futbollit, në ruajtjen e talenteve të saj.
Sipas tij, Gjermania po përballet me një konkurrencë gjithnjë e më të madhe nga federatat e tjera, pasi shumë futbollistë të lindur në Gjermani kanë zgjedhur ose mund të zgjedhin të luajnë për vendet e prejardhjes së tyre.
“Ka shumë lojtarë të lindur në Gjermani të cilët Jürgen Klopp nuk mund t’i ftojë në Kombëtare”, ka thënë Sauer, duke përmendur emra si Kenan Yildiz, Can Uzun, Josip Stanishiq, Paul Wanner dhe Malik Tillman, të cilët kanë lidhje me kombëtare të ndryshme.
Në këtë kontekst, ai ka veçuar edhe Erblin Osmanin, talentin e Bayern Munichut me prejardhje nga Kosova.
“Ne e shohim nga afër se sa shumë thirrje nga federata të ndryshme kombëtare vijnë për lojtarë të caktuar. Erblin Osmani, i lindur në Mynih, aktualisht është me Kombëtaren A të Kosovës”, ka deklaruar Sauer.
Osmani, i cili është zhvilluar në akademinë e Bayern Munichut që nga mosha e vogël, tashmë ka bërë edhe debutimin me ekipin e parë të gjigantit bavarez.
17-vjeçari debutoi në Bundesligë në mars të këtij viti, në fitoren 4-0 ndaj Union Berlinit, kur u inkuadrua në minutën e 87-të në vend të Leon Goretzkas. Me këtë paraqitje, ai u bë lojtari i tretë më i ri në historinë e Bayern Munichut që debuton me ekipin e parë, në moshën 16-vjeçare, 10 muaj dhe dy ditë.