Më shumë se dy të tretat e të rinjve në Evropë kanë përjetuar ngjarje traumatike gjatë fëmijërisë, të cilat mund të ndikojnë në shëndetin mendor, mirëqenien dhe marrëdhëniet e tyre edhe në moshë madhore.
Këto janë gjetjet e një raporti të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Zyra Rajonale për Evropën, shkruan Euronews Health.
Në studim, që përfshiu mbi 26 mijë të rinj të moshës 18 deri në 30 vjeç në Evropë, më shumë se një në pesë pjesëmarrës raportuan se kishin përjetuar katër ose më shumë përvoja të pafavorshme gjatë fëmijërisë.
Këto përvoja përfshijnë dhunën fizike, emocionale dhe seksuale, neglizhencën, përdorimin e substancave në familje, problemet e shëndetit mendor te anëtarët e familjes, ndarjen ose vdekjen e prindërve, si dhe dëshmimin e dhunës në familje.
Përvojat më të shpeshta të raportuara ishin ndarja ose vdekja e prindërve, dëshmimi i dhunës në familje dhe abuzimi emocional.
Pasojat mund të vazhdojnë edhe në moshë madhore
Sipas raportit, ekspozimi ndaj stresit të vazhdueshëm në fëmijëri mund të pengojë zhvillimin e trurit, të vështirësojë rregullimin e emocioneve dhe të ndikojë në mënyrën se si organizmi reagon ndaj stresit.
Të rinjtë që raportuan katër ose më shumë përvoja të pafavorshme kishin më shumë gjasa të përballeshin me dhimbje ose shqetësime fizike, vështirësi në aktivitetet e përditshme, probleme me lëvizjen dhe kujdesin për veten.
Dallime të mëdha u evidentuan edhe në nevojën për mbështetje profesionale të shëndetit mendor. Sipas raportit, 76.3 për qind e të rinjve që kishin përjetuar katër ose më shumë përvoja të pafavorshme thanë se gjatë vitit të fundit kishin pasur nevojë për mbështetje profesionale për shëndetin mendor. E njëjta gjë u raportua nga 36.7 për qind e atyre që nuk kishin përjetuar asnjë nga këto përvoja.
Raporti paralajmëron gjithashtu se të rinjtë më të ekspozuar ndaj përvojave të dëmshme kishin më shumë gjasa të mos e kishin marrë mbështetjen profesionale për të cilën mendonin se kishin nevojë.
OBSH bën thirrje për parandalim dhe ndërhyrje të hershme
Natasha Azzopardi-Muscat, drejtoreshë e sistemeve shëndetësore në OBSH/ Evropë, ka theksuar se pasojat e dhunës dhe krizave familjare mund t’i shoqërojnë fëmijët edhe vite më vonë, duke ndikuar në shkollim, punësim dhe marrëdhënie personale.
Sipas saj, pasojat e traumave të fëmijërisë nuk janë vetëm çështje e shëndetit mendor, por kanë ndikim edhe në aspektin social dhe ekonomik, prandaj kërkohet angazhimi i institucioneve dhe sektorëve të ndryshëm.
Autorët e raportit paralajmërojnë se, pa masa efektive parandaluese dhe ndërhyrje të hershme, përvojat e dëmshme mund të përsëriten edhe në gjeneratat pasuese. Të rriturit që janë prekur nga traumat e fëmijërisë mund të përballen me rrezik më të lartë për të krijuar mjedise familjare të karakterizuara nga stresi financiar, dhuna në familje dhe problemet e shëndetit mendor të prindërve.
Megjithatë, raporti thekson se edhe personat që kanë përjetuar disa ngjarje të pafavorshme gjatë fëmijërisë mund të arrijnë rezultate pozitive në jetë.